Isuf Ismaili: Donikë Sejdiu mbron me sukses doktoratën në Universitetin e Cyrihut
Në Cyrih më, 29 korrik 2025 Donikë Sejdiu, studente me prejardhje nga Kumanova, ka mbrojtur me sukses të shkëlqyeshëm temën e doktoratës në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Cyrihut, duke fituar titullin Doktore e Shkencave.
Punimi i saj shkencor, me titull “Evolucioni i sistemeve patogjen–bimë përmes genomikës së herbariumit: raste studimore të patogjenit të urisë irlandeze të patates Phytophthora infestans dhe të patogjenit të zjarrit të shenjtë Claviceps purpurea”, është rezultat i katër viteve kërkimesh të thelluara dhe angazhimi të vazhdueshëm akademik.
Në një sallë të mbushur me profesorë, doktorantë dhe studentë të ciklit master, Donika mbajti një prezantim të nivelit të lartë profesional, i cili zgjati mbi 45 minuta dhe tërhoqi vëmendjen e veçantë të të pranishmëve. Gjatë sesionit të pyetjeve dhe diskutimeve, u shpreh interesim i madh dhe vlerësim i lartë për kontributin e saj kërkimor, që përbën një shtesë të rëndësishme në fushën e biologjisë molekulare dhe patologjisë së bimëve.
Vlen të theksohet se Donikë Sejdiu ka qenë edhe nxënëse e “Shkollës Shqipe” në Zvicër për nëntë vite me radhë, ku i mori edhe hapat e parë të dijes në gjuhën amtare. Rruga e saj akademike, nga komuniteti shqiptar në mërgatë deri te suksesi në një universitet prestigjioz ndërkombëtar, është frymëzim për brezat e rinj.
Ky shembull, si edhe shumë të tjerë si Donika, dëshmojnë se të rinjtë shqiptarë janë gjithnjë e më shumë vlerë e shtuar, jo vetëm për shoqërinë zvicerane, por edhe për vetë Atdheun. Me punë, përkushtim dhe arsimim cilësor, ata po japin dëshmi konkrete të potencialit të tyre të jashtëzakonshëm.
Në rrjedhën e natyrshme të zhvillimeve kulturore e arsimore në Zvicër, shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë së këtij vendi. Edukimi i brezave të rinj ka sjellë rezultate të dukshme: të rinjtë tanë kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të dijes dhe jetës publike – në shkencë, kulturë, administratë, politikë e mjekësi. Në këtë radhë shkëlqen edhe Donika Sejdiu, e cila u afirmua si një shkencëtare e mirëfilltë në Universitetin e Cyrihut.
Dr. Donika Sejdiu, në gjithë punën dhe veprimtarinë e saj, iu përkushtua shkencës. Por ajo, si shqiptare e denjë, nuk e harroi asnjëherë gjuhën dhe kulturën shqiptare. E rritur dhe edukuar nga prindër mësimdhënës e atdhetarë: prof. dr. Vaxhid Sejdiu dhe pedagoge Qefsere Sejdiu – Donika bashkë me frymëmarrjen e parë të jetës mori edhe dashurinë për rrënjët dhe gjuhën e Atdheut. Kjo dashuri iu ngulit thellë në zemër dhe u shndërrua në një pjesë të pandarë të identitetit të saj.
Ajo ndoqi me përkushtim mësimet në “Shkollën Shqipe”, në Walenstadt të Zvicrës, duke u formuar jo vetëm si shkencëtare, por edhe si ambasadore e kulturës sonë kombëtare.
Kur vlerat e pastra shqiptare ndërthuren me dije të thella shkencore, merr drejtim të lartë njerëzor, edhe pasuria e frymëzimeve dhe veprimtarive, siç rrugëtojnë qartë figurat si Donika Sejdiu, krenari kjo jo vetëm për prindërit e saj, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo është pjesë e pandashme e vlerave të mëdha të kombit tonë – përfaqësuese e denjë e Shqipërisë së tërësishme dhe e Zvicrës, vendit ku u rrit dhe u edukua në një shoqëri që kultivon dhe shpërblen dijen dhe përkushtimin.






