spot_img
Ballina «arbkult» Mësuesja Lefter Metkaj: “Fëmijët e Kosovës na mësuan se edhe mes çadrave...

Mësuesja Lefter Metkaj: “Fëmijët e Kosovës na mësuan se edhe mes çadrave mund të lulëzojë dija ! “

0
164

 

( Apo : Lefteri Metkaj, mësuesja që u dha shpresë nxënësve të Kosovës në Vlorën e vitit 1999)

Sot mësuese e gjuhës shqipe në shkollat shqipe të Athinës, Lefteri Metkaj rikthehet në një nga përvojat më të fuqishme të jetës së saj: misionin si mësuese vullnetare për fëmijët e Kosovës, të strehuar në Vlorë gjatë pranverës së vitit 1999.

Në një intervistë për Blu TV Vlorë, Metkaj ka ndarë kujtime dhe dëshmi nga periudha e luftës dhe eksodit të popullsisë së Kosovës, kur mijëra familje u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës dhe persekutimit serb.

Në atë kohë, Vlora u shndërrua në një strehë të madhe njerëzore. Qytetarët, institucionet dhe vullnetarët hapën dyert dhe zemrat për familjet e ardhura nga Kosova, duke ofruar ushqim, strehim, përkujdesje dhe mbështetje.Një nga shembujt më domethënës të këtij solidariteti ishte misioni humanitar italian “Arcobaleno”, i ngritur nga Rajoni i Umbrias në fushën e aviacionit në Vlorë. Mes qindra çadrave të strehimit u krijuan hapësira për rehabilitim, përkujdesje dhe rikthim gradual në jetën e përditshme.

Aty u ngrit edhe një çadër-shkollë.

Lefteri Metkaj ishte një nga mësueset vullnetare që zgjodhi të qëndronte pranë fëmijve të Kosovës në një nga momentet më të vështira të jetës së tyre.

 

“Çdo mëngjes hyja në një klasë që nuk kishte mure, por kishte qiellin mbi kokë. Nuk kishte banka moderne, por kishte sy fëmijësh që kërkonin të harronin zhurmën e luftës. Nuk kishte tringëllimë zileje, por kishte zërin e dijes, i cili u jepte ndjenjën se jeta vazhdonte”, kujton ajo.

Për mësuesen, ajo çadër nuk ishte vetëm një hapësirë mësimi. Ishte një vend ku fëmijët mund të ndiheshin sërish të sigurt, të buzëqeshnin dhe të besonin te e ardhmja.

“Fëmijët e Kosovës na mësuan se edhe mes çadrave mund të lulëzojë dija dhe se edhe mes dhimbjes mund të lindë shpresa”, shprehet Metkaj.

Pas më shumë se dy dekadash, kjo përvojë vazhdon të mbetet e gjallë në kujtesën e saj. Ajo e konsideron një urë të fortë kujtese dhe solidariteti mes Vlorës dhe Kosovës, por edhe një dëshmi se në kohët më të vështira shqiptarët dinë të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.

Lefteri Metkaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për Blu TV Vlorë, për vëmendjen dhe dinjitetin me të cilin u trajtua kjo dëshmi njerëzore dhe historike.

Historia e saj nuk është vetëm rrëfimi i një mësueseje. Është historia e një populli që, mes dhimbjes dhe pasigurisë, zgjodhi solidaritetin, dijen dhe shpresën.

Rroftë vëllazëria