spot_img

Redaksia

0
142

Mentor Thaqi – Gjermani

Mentor ThaqiMentor Thaqi u lind më 8 qershor 1965 në fshatin Llukë e Epërme, i njohur edhe si Verrat e Llukës, në komunën e Deçanit. Kreu studimet për ekonomi në Universitetin e Prishtinës dhe fitoi titullin ekonomist i diplomuar.

Nga viti 1989 emigroi në Perëndim, fillimisht me qëndrime sezonale, ndërsa që nga vitet 1991–1992 jeton në Gjermani. Në vitin 1990 u angazhua në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, veçanërisht në organizimin dhe mbarëvajtjen e Tubimit te Verrat e Llukës.

Nga viti 2011 ishte aktiv në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Që nga viti 2013 është anëtar aktiv dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Në këtë organizatë ka ushtruar detyra të ndryshme, përfshirë atë të sekretarit organizativ, ndërsa aktualisht mban detyrën e sekretarit të përgjithshëm.

Është autor i 25 librave me poezi, tregime, tekste këngësh dhe vjersha për fëmijë. Njëmbëdhjetë prej tyre janë shkruar në bashkautorësi, tetë prej të cilave me Musa Jupollin.

Rexhep Rifati – Zvicër

Rexhep RifatiRexhep Rifati u lind më 28 maj 1942 në Komogllavë të Ferizajt. Kreu studimet për letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 1967 deri më 1995 punoi si gazetar në gazetën “Rilindja”. Që nga viti 1995 jeton në Zvicër, ku ka vepruar si gazetar dhe redaktor në gazeta, revista dhe portale elektronike.

Është nderuar nga At Antonio Bellusci me titullin “Apostull i kohëve moderne”. Është anëtar nderi i Qendrës Albanologjike për Studime mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe dhe qytetar nderi i Horës së Arbëreshëve. Ka marrë mirënjohje nga tri ambasada në Zvicër, si dhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë është nderuar me medaljonin “Dielli Dardan”.

Ka botuar librat: “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”, “Shtegtimet e një gazetari”, “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit” dhe “Arbëreshët, fotosintezë e shpirtit tim”.

Jeton në Cyrih të Zvicrës.

Musa Jupolli – Francë

Musa JupolliMusa Jupolli u lind më 7 qershor 1955 në fshatin Shajkoc të Besianës, sot Podujevë. Kreu studimet për letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1984 jeton në Paris.

Në vitin 1987 ishte themelues i Shoqatës “ALBAKOS”, shoqata e parë shqiptare e përfshirë në Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut – FIDH.

Në vitin 1990, së bashku me Antoine Garapon, profesor i studimeve të larta në Paris, dhe Olivier Mongin, filozof dhe drejtor i revistës “Esprit”, themeloi Komitetin Kosova pranë revistës “Esprit” në Paris.

Është autor i 32 veprave letrare në fushën e romanit, poezisë, kritikës letrare dhe esesë. Është kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

 

Ornela Radovicka – Itali

Ornela RadovickaOrnela Radovicka u lind më 29 prill 1966 në Shqipëri dhe emigroi në Itali në vitin 1991. Ka diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në degën Gjuhë-Letërsi, si dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Milano.

Është bashkëthemeluese e kursit për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe të gjuhës e kulturës arbëreshe në Kozencë. Që nga viti 2000 është drejtoreshë e Qendrës Albanologjike për Studime mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, të themeluar nga At Antonio Bellusci pranë Bibliotekës Ndërkombëtare në Frasnitë, Frascineto, në Kalabri.

Ndër veprat e saj dallohen: “Antonio Bellusci, jeta dhe vepra”, “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, në bashkautorësi me Antonio Belluscin, dhe “I them botës: jam arbëresh”, kushtuar Zef Kakocës. Është gjithashtu përkthyese dhe redaktore e librit “Arbëreshët, fotosintezë e shpirtit tim”, të autorit Rexhep Rifati.

Ka publikuar artikuj në gazeta dhe revista të ndryshme. Është nderuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen Presidenciale për kontributin e saj në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Është fituese edhe e Çmimit Ndërkombëtar “Mora”, të dhënë nga arbëreshët e Kalabrisë.

Hazir Mehmeti – Austri

Hazir MehmetiHazir Mehmeti u lind në vitin 1952 në fshatin Besnik, i njohur më parë si Beçiq, në Kosovë. Që nga viti 1996 jeton në Austri.

Është autor tekstesh mësimore, pedagog, prozator dhe publicist hulumtues. Është anëtar i PEN-Klubit të Austrisë.

Ka botuar veprat: “Tekst ushtrimi 1”, “Mësimi shqip në Austri I”, “Mësimi shqip në Austri II”, “A-B-C Fibel – Abetare”, “Udhëtim S”, “Shëngjergji dhe tregime të tjera”, “Kohëthyerja”, “Zertrümmerung der Zeit”, “Timp spulberat”, “Studiues austriakë dhe shqiptarë në Austri”, “Pranverë e helmuar”, “Aktivitete letrare në Austri”, “Kohëpërfytyrje” dhe “Tehe nate”, si dhe botime të tjera.

Është bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave në diasporë dhe në vendlindje. Është bashkautor i 19 teksteve mësimore për diasporën.

Është anëtar i Komitetit të Mauthausenit dhe bashkautor i dy botimeve, të publikuara më 2015 dhe 2016, kushtuar viktimave të kampit të përqendrimit në Mauthausen.

Shqipe Bytyqi – Zvicër

Shqipe BytyqiShqipe Bytyqi u lind në Gjakovë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet i vazhdoi në Prishtinë, duke u regjistruar në Fakultetin Teknik, në drejtimin e Arkitekturës.

Që në moshë të re u angazhua në shkrime, gazetari radiofonike dhe art skenik. Ishte pjesë e lëvizjeve studentore dhe njëra nga nismëtaret e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.

Gjatë veprimtarisë së saj ka punuar si përkthyese, arkitekte, profesoreshë, këshilltare, mbikëqyrëse dhe ndërmarrëse.

Krijimtaria e saj poetike është përfshirë në antologji të botuara në Shqipëri, Kosovë, Zvicër dhe Rumani. Ka shkruar reportazhe, ese dhe shkrime të tjera për gazeta e revista letrare.

Ka botuar librat me poezi: “Dromca kohe dhe jete”, “Brishtësi që s’jepet”, “Urë me vargje” dhe “Përflakje”. Vepra “Përballje” është në botim.

Është nderuar me Çmimin “Yllka Domi” për poezinë më të mirë në Mitingun e 55-të të Poezisë në Gjakovë; me çmimin “Pena e Artë” për poezinë më të mirë nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në Gjermani; me titullin “Misionare e Lartë e Kombit Shqiptar” nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare në Tiranë; si dhe me “Mirënjohjen arbëreshe për misionin fisnik në përhapjen e kulturës shqiptare”, nga Qendra e Studimeve të Kulturës Arbëreshe “Gjergj Skënderbeu” dhe Biblioteka Ndërkombëtare “A. Bellusci” në Frasnitë të Kalabrisë. Mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshëm në çështje kombëtare shqiptare, veçanërisht në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1992”, Lidhja Shqiptare në Botë, Zvicër, 2025

 

Afrim Nevzadi – Zvicër

Afrim NevzadiAfrim Nevzadi është fotograf me prejardhje nga Kumanova, i cili që nga fillimi i viteve 1990 jeton dhe vepron në Zvicër.

Pasionin për fotografinë e zhvilloi përmes studimeve dhe punës intensive në studio dhe në natyrë, duke ndërtuar gradualisht një profil të dallueshëm artistik. Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në ekspozita dhe konkurse të ndryshme në Zvicër, ku është vlerësuar me çmime për krijimtarinë dhe mënyrën e veçantë të rrëfimit përmes imazhit.

Në fotografinë e tij spikasin ndjeshmëria ndaj detajit, kompozimi dhe aftësia për të kapur atmosferën e çastit. Krahas fotografisë, Nevzadi merret me sport, muzikë, lexim dhe ecje në natyrë, interesa që e ushqejnë vazhdimisht krijimtarinë e tij.

Përmes punës dhe përvojës së vet, ai përcjell mesazhin e këmbënguljes, disiplinës dhe besimit në ëndrrat personale.