spot_img
Ballina Aktualitete Bedri Tahiri: Thirrje për pastërti gjuhësore

Bedri Tahiri: Thirrje për pastërti gjuhësore

0
111
763944503 2703216166780541 1566465109656263396 n

“Ruajtja e gjuhës është detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar.”

                                                                                          (Faik Konica)

Të nderuar autorë të librit që sot po e përurojmë Ferki e Emrush Perçuku!

I respektuari kryetar Ferit Idrizi, dashamirë e përkrahës i palodhur i kulturës!

Mërgimtarë të dashur që jeni krenaria jonë!

Të nderuar të pranishëm: kolegë, familjarë dëshmorësh, veteranë të arsimit e të UÇK-së, luftëtarë, dashamirë të librit…

Gjuha letrare shqipe është një arritje e madhe kulturore, e cila krijon një formë të përbashkët komunikimi për të gjithë shqiptarët. Ajo përdoret në arsimin, median, administratën dhe letërsinë, duke ndihmuar në ruajtjen e unitetit gjuhësor. Megjithatë, gjuha ndryshon me kohën dhe ndikimet e dialekteve apo gjuhëve të huaja janë të pashmangshme. Sfida kryesore është të ruhet standardi në kontekste formale, ndërkohë që përdorimi i gjuhës në jetën e përditshme mund të mbajë fleksibilitet dhe pasuri kulturore. Në këtë mënyrë, gjuha letrare jo vetëm që ruhet, por edhe zhvillohet duke u përshtatur me nevojat e kohës.

Edhe pse kaloi më shumë së gjysmë shekulli, nga formimi i shqipes letrare, në zbatimin e atyre normave, sidomos në drejtshkrim, po paraqitën vështirësi të natyrave të ndryshme. Dhe, këto shqetësime të arsyeshme, po ua vrasin syrin në rend të parë profesionistëve, gjuhëtarëve të mirëfilltë! Të tillë janë edhe dy gjuhëtarë vushtrrias, që dijet e tyre për gjuhën i kanë kultivuar për vite të tëra më nxënës, dy të palodhshmit Ferki Perçuku e Emrush Perçuku, të cilët mendjet e tyre i kanë përbashkuar në doracakun a praktikumin gjuhësor “IMTËSI TË NORMËS LETRARE”. Autorët, moto të librit kanë vendosur mendimin e Prof. Isa Bajçincës: “Në kushtet e ndarjeve dhe çarjeve më të mëdha brenda trojeve shqiptare, standardi përbënte hallkën më të rëndësishme të ruajtjes së bashkimit kombëtar, të krijimit të identitetit kulturor – NJË për të gjithë shqiptarët.”

Libri “IMTËSI TË NORMËS LETRARE” i autorëve Ferki Perçuku e Emrush Perçuku, paraqet një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve gjuhësore shqipe, duke u fokusuar në hollësitë dhe nuancat e përdorimit korrekt të gjuhës standarde. Që në titull, vepra sugjeron një qasje të përqendruar te detajet, ato elemente të vogla, por thelbësore, që shpesh neglizhohen në përdorimin e përditshëm të gjuhës.

Pra, vetë titulli sugjeron një vepër me karakter të thelluar shkencor në fushën e normës letrare, veçanërisht në drejtshkrim e në drejtshqiptim, në zbatimin e tyre në praktikë, në medie, në shkolla, në administratë, në hartime letrare. Norma letrare është thelbësore për ruajtjen e unitetit gjuhësor dhe kulturor. Një libër që merret me “imtësitë” e saj ndihmon në forcimin e standardit dhe në shmangien e pasaktësive që mund të përhapen në përdorim. Standardi i gjuhës letrare ruhet përmes arsimit, mediave, institucioneve dhe ndërgjegjësimit të folësve. Ai nuk është thjesht rregull, por një mjet i rëndësishëm për komunikim të qartë dhe për bashkimin kulturor. Shaban Demiraj “Gjuha letrare shqipe është gjuhë standarde, e strukturuar, që shërben si instrument për të shkruar, për të komunikuar dhe për të ruajtur trashëgiminë gjuhësore dhe kulturore.”

“Në librin “IMTËSI TË NORMËS LETRARE” kemi synuar të ndriçojmë disa prej çështjeve themelore të gramatikës dhe përdorimit të drejtë të fjalive dhe ndërtimin e tyre në përputhje me natyrën e gjuhës shqipe, duke e afruar lexuesin me praktikën e shkrimit të saktë, natyror dhe në përputhje me ligjet e saj të brendshme. Qëllimi ynë është për ta mbrojtur pastërtinë dhe bukurinë e shqipes, në një kohë kur ndikimet e huaja shpesh e errësojnë origjinalitetin e saj”, – shprehen autorët.

Në këtë libër, autorët synojnë të ndriçojnë çështje që lidhen me normën letrare, duke analizuar gabime të zakonshme, në të folur e sidomos në të shkruar, dhe duke ofruar udhëzime të qarta për përdorimin e drejtë të fjalëve, formave gramatikore dhe strukturave sintaksore. Një nga vlerat kryesore të librit është qartësia me të cilën trajtohen temat: edhe pse bëhet fjalë për një fushë teknike si gjuhësia, shpjegimet janë të kuptueshme dhe të kapshme për një audiencë të gjerë, jo vetëm për specialistët.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është roli edukativ i veprës. Libri nuk kufizohet vetëm në përshkrimin e normës, por synon edhe ndërgjegjësimin e lexuesit për rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës standarde. Në një kohë kur ndikimet e huaja dhe përdorimi i pakujdesshëm i gjuhës janë gjithnjë e më të pranishme, kjo vepër shërben si një udhërrëfyes i vlefshëm për nxënës, studentë, mësues dhe të gjithë ata që duan të përmirësojnë shprehjen e tyre në shqip.

Porosia që del nga kjo vepër është se respektimi i normës letrare është një përgjegjësi kolektive. Ai kërkon bashkëpunim mes autorëve, redaktorëve, mësuesve dhe vetë përdoruesve të gjuhës. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që shqipja standarde të ruajë qartësinë, saktësinë dhe funksionin e saj unifikues në shoqëri. Një nga vlerat më të mëdha të gjuhës letrare është se ajo krijon një unitet kombëtar.

Shqetësimet e autorëve përmbyllen me një thirrje të ngutshme për themelimin e një lëvizjeje të gjerë dhe të organizuar që të synojë ngritjen e kulturës gjuhësore në hapësirën shqiptare, e cila do të duhej të kishte për qëllim mbështetjen sistematike të të gjithë atyre që merren me shkrim, publicistikë dhe komunikim publik, duke u ofruar ndihmë profesionale për kualifikimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kulturës së tyre gjuhësore.

Në përfundim, “IMTËSI TË NORMËS LETRARE” është një vepër me vlerë të veçantë për kulturën gjuhësore shqiptare. Ajo jo vetëm që ndihmon në kuptimin më të mirë të normës standarde, por edhe nxit një qëndrim më të përgjegjshëm ndaj përdorimit të gjuhës. Si e tillë, mbetet një burim i rëndësishëm për këdo që synon të zotërojë shqipen në nivel të lartë dhe korrekt.

Autorëve e studiuesve të palodhur, Ferki Perçukut e Emrush Perçuku, u dëshirojmë shëndet e suksese të reja, ndërkaq librit “IMTËSI TË NORMËS LETRARE” , mirëpritje nga të gjithë, veçan nga dashamirët e pastërtisë së gjuhës standarde shqipe!

Vushtrri, më 5 gusht 2026

( Nga fjala e Bedri Tahirit me rastin e përurimi të librit të Ferki e Emrush Perçuku!në Kalanë e Vushtrrisë)