spot_img
Ballina Aktualitete 27 Prilli – Dita e të pagjeturve të Kosovës, 25 vjet pas luftës...

27 Prilli – Dita e të pagjeturve të Kosovës, 25 vjet pas luftës ende mbi 1600 të zhdukur

0
6

Nga Behlul Jashari

PRISHTINË, 27 Prill 2024/ Në Kosovë  27 Prilli është  Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli –  25 viteve.

Në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, para 25 viteve,  në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës.

 Sot, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “ 27 Prilli 1999 Mejë”, në shënim të 27 prillit, Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, mbahen këto aktivitete:

 Ora 10:00- Homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës (para Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Ora 12:00- Arritja në Kompleksin Memorial në Mejë, (Mejë, Komuna e Gjakovës)

Ora 12:15- Vendosja e kurorës së përbashkët (Memoriali në Mejë)

Ora 12:20- Tubim përkujtimor në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë (Kompleksi Memorial në Mejë)