-Hanëmshahe Ilazi është një prej zërave më të përkushtuar te letërsisë dhe publicistikës shqiptare, me nje mision të qartë, të mos harrohet asnjë fëmijë i vrarë nga makineria serbe në Kosovë. E lindur në Ferizaj, e shkolluar nė Ferizaj dhe Prishtinë ajo ka jetuar dhe dokumentuar tragjeditë e popullit të saj me ndjeshmëri njerëzore dhe vetëdije kombëtare.
Në bashkautorësi me Nusret Pllanën, Ilazi botoi librin dokumentar “A vriten engjëjt?”, nje përmbledhje dëshmuese për 1392 fëmijë të vrarë e të zhdukur shqiptarë nga viti 1981 deri më 1999. Vetë autorja e përshkruan këtë libër si një akt qëndrese ndaj harresës „ Fëmijët e vrarë nuk janë vetëm viktima, ata janë pasqyrë e barbarisë që nuk guxon të amnistohet.” Hanëmshahe Ilazi, për Radio Kosova, 2014
Libri nuk është vetëm përkujtim, por edhe akuzë morale ndaj ndërgjegjes kombëtare por edhe botërore. Për çdo fëmijë të vrarë, autoret kanë përfshirë emrin, moshën, vendin dhe rrethanat e vrasjes, duke krijuar një mozaik të tmerrit qe përjetoi populli shqiptar në fundin e shekullit 20.
Përveç kësaj vepre të njohur, Hanëmshahe Ilazi ka botuar edhe vepra të tjera si:
“Drenicë, jemi me ty”, një homazh për simbolin e qëndresës shqiptare.
“Fëmijët dëshmojnë”, ku përmes intervistave dhe rrëfimeve reale, fëmijët e mbijetuar flasin për përjetimet e tyre gjatë luftës.
“Çdo komb që i harron fëmijët e vet të vrarë, është i dënuar të rritet pa rrënjë.” – thotë Hanëmshahe Ilazi, Konferenca për të Drejtat e Fëmijëve, Prishtinë, 2016
Hanëmshahe Ilazi ka dhënë një kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin patriotik të gjeneratave të reja. Ajo ka ligjëruar, organizuar orë përkujtimore, lexime publike dhe përurime librash në shumë shkolla të Kosovës.
Stili i saj është shpesh i përmbajtur në fjalë, por i rëndë ne peshë emocionale. Ajo zgjedh të tregojë dhimbjen përmes faktit, jo përmes retorikës. Kjo e bën veprën e saj të fortë, të dëshmueshme dhe ndërgjegjësuese.
Hanëmshahe Ilazi nuk është vetëm një shkrimtare. Ajo është aktiviste dhe arkiviste e dhimbjes se një kombi dhe rojtarja e kujtesës së atyre që i vranë, i zhdukën dhe që s’patën mundësi të flasin. Vepra e saj duhet të lexohet jo vetëm si literaturë, por si dokument përballjeje me të kaluarën dhe si test ndërgjegjeje për të ardhmen, përfundoi fjalën e saj poetja Shqipe Bytyqi.

















