spot_img
Ballina Aktualitete  “Kastriotët” ferizajas në 58 vjetor kujtuan me pietet Kryetarin e nderit Sali...

 “Kastriotët” ferizajas në 58 vjetor kujtuan me pietet Kryetarin e nderit Sali Bajrën

0
9

 

Kaçaniku me 15 Nëntor 2025, riktheu edhe njëherë kujtesën e epokës sa krenare aq edhe sfiduese kur në krye të këtij qyteti qëndronte intelektuali dhe atdhetari  Sali Bajra, duke shfaqur një program të përzgjedhur po në atë sallë ku ishte shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Paraprakisht përmes një ekspozite, tryeze e filmi dokumentar paradite dhe në mbrëmje edhe  me një koncerti me pjesëmarrjen e tri shoqërive.  Në fillim përshëndeti edhe kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi e pastaj filloi tryeza e drejtuar me shumë kompetencë nga publicisti , Afrim Demiri, ku penalistë ishin Vigan Qorrolli, Ilir Bytyçi, Ilaz Ramajli, Gjentila Bajra dhe unë, e që nxori në dritë edhe një herë figurën e Sali Bajrës dhe rrethanat shoqërore e kulturore të epokës së Tij.

Me këtë rast nga fjala ime (në cilësinë  kryetarit të parë ansamblit të Kastriotëve ferizajas), sa fjalë lidhur me vendimin që morëm për ta shpall Sali Bajrën kryetar nderi këtu e58 vjet më parë:  

Takimet e mija të para me Saliun datojnë nga vitet e 60- ta, derisa isha nxënës i Shkollës Normale në Ferizaj, i sidomos pas punës sime në profesionin e gazetarisë në të përditshmen “Rilindja”, kur më me ëndje shkruaja nga Kaçaniku dhe për Kaçanikun,  sesa për vetë Ferizajn që e kisha si sektor, nisur edhe nga fakti se pikërisht në atë qytezë në saje të nismave të guximshme të Saliut me shokë jeta përgjithësisht ishte më e bujshme, më interesante dhe me shumë të  papriturave, sidomos për shkak të kontradiktave që mbretëronin në shoqërinë atëhershme kosovare.

Që në ditët e para të themelimit në vitin 1967, nnë mbledhjen e kryesisë së kësaj shoqërie, kryetar i së cilës isha, në fillim propozova që  Sali Bajra të shpallet kryetar nderi, për shkak të përkrahjes që na ofronte që në nismë dhe për dashurinë e madhe që ushqente për kulturën dhe të rinjtë përgjithësisht.

Në vitet 1966-67, ndonëse kishte ndodhur Plenumi i Brioneve, ende frymonte rëndë jeta kulturore në Kosovë, e sidomos  në Ferizaj. Kështu që ne si SHKA “Kastriotët”, ftuam shoqërinë “Liman Kaba” nga Dibra e si mysafirë edhe anëtarë të Shoqërisë “Hajdar Dushi” nga Gjakova. Por meqë edhe kësaj radhe nuk deshën të na lejojnë dhënien e koncertit në shtëpinë e kulturës, të rinjtë e hapën me dhunë derën dhe u mbajt koncertin, i cili, më pastaj e politizoi situatën edhe më shumë. Me të përfunduar të këtij koncerti, i cili u prit me duartrokitje e përzemërsi, sepse pas shumë vitesh merrte pjesë një shoqëri simotër shqiptare nga Maqedonia. Pas koncertit u organizua edhe një mbrëmje shoqërore, ku merrnin pjesë edhe mysafirë të shquar nga komunat fqinje dhe nga Kosova. Mbaj mend si sot kur desha t`ia jap fjalën përshëndetëse shkrimtarit të mirënjohur Ramiz Kelmenidi, por që nuk pranoi të flasë, duke thënë:” Derisa këtu është Sali Bajra, unë nuk dëshiroj të flasë i pari, sepse ai e meriton dhe është i zoti për këtë, ndërsa që detyra ime është të shkruaj e jo të flasë!” Këto fjalë të Ramizit sikur e ndezën edhe më tepër atmosferën në sallën e shtëpisë së armatës në Ferizaj , ku mbahej ky takim i pari i këtij lloji me pjesëmarrje mjaft masive nga visesh të ndryshme shqiptare.  Me këtë rast Salih Bajra inkurajoi grupet artistike që ta ngjallin edhe më tepër jetën kulturore në çdo vend ku ato veprojnë dhe se ato do të jenë kurdoherë të mirëpritura edhe në Kaçanik me rrethinë, gjë që këtë mikpritje e kemi ndierë e përjetuar sidomos ne amatorët e Ferizajt.

Me këtë rast një detaj me shumë interes për Kosovën e viteve të 70-ta, kur Kuvendi i Kaçanikut që drejtohej nga Sali Bajra mori nismën për të financuar Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë.

Në kohën kur bëhej luftë e pa kompromis në Kosovë për hapjen e Universitetit të Kosovës, si parakusht shtrohej çështja e hapjes së Fakultetit të Mjekësisë, sepse thuhej se nëse nuk hapet ky fakultet nuk ka predispozita as për universitet. Ndaj edhe atë që nuk e kishte pritur askush një komunë e vogël siç ishte Kaçaniku, në saje të guximi të pashoqë të qytetarit të parë të saj, Sali Bajra, del në seancën e vet dhe miraton vendimin për gatishmëri për participim me mjete financiare që do të çonin drejt hapjes së fakultetit të mjekësisë.

Këto konkluzione që mi dha me shkrim Saliu e që i botova në “Rilindje” hasën në simpati të madhe në mesin e qytetarëve të Kosovës, por në fillim mungonte përkrahja e komunave tjera si dhe e organeve dhe e institucioneve të Kosovës për ta mbështetur këtë nismë me interes të shumëfishtë. I vetmi që botërisht në fillim përkrahu këtë iniciativë të Kuvendit të komunës së Kaçanikut ishte, doktor Simë Dobreci, specialit i sëmundjeve të lëkurës në Prishtinë, me prejardhje nga Ulqini. Ai në një shkrim të tij në këndin: Lexuesit na shkruajnë, në “Rilindje” shkruante se si përshëndet nismën e komunës së Kaçanikut dhe të Salih Bajrës dhe se kjo nismë duhet të gjejë mbështetje e përkrahje jo vetëm nga populli dhe institucionet e Kosovës, po edhe më gjer, sepse Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një fakultet mjekësie.

Kështu jehona e propozimit të Komunës së Kaçanikut dheu akullin dhe u bë lajtmotiv edhe për kuvende të tjera duke e thyer një barrierë të madhe të qarqeve serbe që kurrsesi nuk mund të pajtoheshin që në një të ardhme të afërme të hapet Universiteti i Prishtinës me të gjitha fakultetet dhe degët e nevojshme. Pra Kaçaniku në saje të kryetarit të saj dhe disa këshilltarëve parimor e të guximshëm shumë shpejt u bë shembull edhe për komuna më të mëdha. Ai për fat të mirë printe në proporcion me mundësitë që kishte edhe me shkollimin e të rinjve përmes ndarjes së bursave jo vetëm për fakultete, por edhe për shkolla të mesme.

Krejt në fund, gjithsesi do vlerësuar kontributin dhe angazhimin qe treguan për këtë organizim kaq madhështor: Afrim Demiri, Besnik Rrustemi dhe Imri Musliu, si dhe mbarë trupa artistike «Kastriotët» nga Ferizaj, duke gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe si dhe të drejtuesve të kulturës në vet Kaçanikun. 

( Teksti e fotot: R. Rifati)