Me këtë rast hasëm në një mikpritje të jashtëzakonshme në Librarinë “At Gjergj Fishta”, si dhe dhurova veprën “Der Kanun” në gjuhën gjermane
Të martën me 18. nëntor, së bashku me shoqen time Borën, kushëririn tim Ismet Berishën dhe bashkëshorten e tij Rrezarta Kastrati – Berisha, zhvilluam një vizitë të veçantë kulturore në qytetin e Shkodrës, ku përjetuam një pritje të ngrohtë e mbresëlënëse në librarinë “At Gjergj Fishta”, në kishën e Shën Françeskut, në zemër të lagjes historike Gjuhadol.
Gjatë kësaj vizite pata nderin t’i dhuroj librarisë disa ekzemplarë të librit “Der Kanun”, përkthim në gjuhën gjermane i Kodit të Kanunit Lekë Dukagjinit, një punë e gjatë dhe e përkushtuar me synimin për t’ia prezantuar kulturën tonë lexuesit gjermano folës. Dhurimi u prit me mirënjohje të thellë, e mbi të gjitha me respekt për vlerën kulturore që përfaqëson ky botim.
Drejtuesja e librarisë Shqipe Marku dhe profesor Vinçenc Marku na priten me një mikpritje të rrallë, duke e kthyer vizitën tonë në një përvojë të paharrueshme. Ajo na shpjegoi me pasion historinë e librarisë, rëndësinë e saj si qendër kulturore dhe bibliotekën që mban emrin e At Gjergj Fishtës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Me njohuri të gjerë dhe aftësi të admirueshme komunikuese, ajo na udhëhoqi nëpër rrëfimet e saj duke filluar nga gjeneza e hapësirës, prejardhja e fondit të librave, roli i At Gjergj Fishtës në traditën letrare shqiptare e deri te misioni bashkëkohor i librarisë në promovimin e leximit dhe kulturës.
Pas vizitës në librari, udhëtimin tonë kulturor e vazhduam në Muzeun Marubi, një tjetër gur i çmuar i trashëgimisë kulturore shqiptare. Aty patëm mundësinë të shijonim historinë e jashtëzakonshme të fotografisë shqiptare, nëpërmjet koleksionit të pasur të dinastisë Marubi, që dokumenton mbi një shekull të jetës, traditës dhe historisë sonë.
Vizita në Shkodër ishte një ditë e mbushur me kulturë, mikpritje dhe frymëzim. Pritja e zonjës Shqipe Marku, drejtueses së librarisë “At Gjergj Fishta” ishte jo vetëm profesioniste, por edhe thellësisht njerëzore. Kjo vizitë na kujtoi se sa e rëndësishme është të mbështetim, të ruajmë dhe të promovojmë vlerat tona letrare e kulturore, e sidomos ta ndajmë këtë pasuri me të tjerët.
Dhurimi i librit “Der Kanun” ishte një kontribut i vogël përballë madhështisë së trashëgimisë sonë, por një hap i rëndësishëm në ndërtimin e urave kulturore mes gjuhëve dhe popujve.
Prej tani, lexuesit dhe adhuruesit e monumenteve kulturore shqiptare kanë mundësinë ta blejnë botimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit (Der Kanun) në gjuhën gjermane edhe në Librarinë “At Gjergj Fishta” në Shkodër – një hap i rëndësishëm që e lidh traditën tonë me botën germanofone dhe e çon më tej vlerën e kësaj trashëgimie.
(Shkruan: Bardhec Berisha – Bardhi)









