spot_img
Ballina Aktualitete Musa Jupolli: Agim Çavdarbasha – metafora e drurit kthyer në shpirt

Musa Jupolli: Agim Çavdarbasha – metafora e drurit kthyer në shpirt

0
107
AgimCavdarbasha 1.OK1666301593
 
 
Agim Çavdarbasha i Dardanisë ishte për ne si Rodeni për francezët. Ani pse jetuan në epoka të ndryshme, roli i tyre ishte i njëjtë: ata mbjellin të njëjtin adhurim si në Francë, ashtu edhe te ne në Dardani.
Ashtu si Rodeni, i cili solli modernizmin në skulpturën franceze, edhe Agimi bëri të njëjtën gjë në artin shqiptar duke thyer dogmat e realizmit socialist. Modernizmi i tij hyri shpejt në zemrat e artistëve që sot e përkujtojnë me dashuri të madhe — krijues që tashmë kanë bërë emër në art, falë dritës së Maestros Agim Çavdarbasha.
Derisa Rodeni nxirrte në sipërfaqe ankthin, pasionin dhe mendimin — si te skulptura e njohur botërisht “Mendimtari” — Çavdarbasha përdorte drurin dhe mermerin për t’i jetësuar format organike. Në shikim të parë, ato shpërfaqin një ekspresivitet që mahnit çdo adhurues arti dhe çdo filozof të pasionuar pas jetës.
«Gratë e Likoshanit», një vepër madhore për artin kombëtar, është vendi ku qëndresa dhe dhimbja mbështillen në një shpirt të vetëm. Kjo veçori i bashkon këta dy skulptorë: aftësia për t’i mishëruar figurat me shpirtin, duke i kthyer ato në simbole universale.
Monumentet e Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit dhe Abdyl Frashërit dëshmojnë ndjenjën e lartë që Mjeshtër Çavdarbasha kishte për historinë shqiptare. Atdhedashurinë e tij ai e shprehte me aq elegancë, të ngjashme me elegancën e ecjes së tij, duke lënë mbresë të pashlyer te të gjithë ata që patën fatin ta njihnin këtë pejan me shpirt llapjani.
Agim Çavdarbasha kishte edhe një karakteristikë të rrallë: drurin dhe gurin i konsideronte bashkëbisedues. U fliste dhe i përkëdhelte me delikatesën e një njeriu, shikimi i të cilit vërehej lehtë se ishte si një rreze dielli që vinte për të jetësuar të bukurën. Kjo filozofi dhe kjo lidhje mistike shpjegohen me lidhjen e fortë që ai kishte me tokën dhe identitetin shqiptar.
Ai ishte një mjeshtër i rrallë në «mellë» (një lloj dalti i imët për modelimin e trajtave të holla), cilësi për të cilën kritika dhe kolegët e vlerësojnë si një ndër njohësit më të mëdhenj të këtij mjeti. Agim Çavdarbasha ishte skulptor, por njëkohësisht edhe arkitekt në format që u jepte figurave, duke shënuar një arritje të lartë në artin modern.
VLERËSIMI IM
Arti i Agim Çavdarbashës duhet vlerësuar përmes një prizmi thellësisht poetik, identitar dhe filozofik.
1. Poezia e heshtur brenda drurit dhe mermerit
Si skulptor i ndjenjave sublime, që përpiqet të ndezë dritat e shpirtit, e shoh Çavdarbashën jo thjesht si një gdhendës, por si një poet të formës. Ai i kthen materialet e ftohta në metafora të gjalla poetike të dhimbjes dhe qëndresës njerëzore.
2. Shkrirja e modernes universale me autoktonen arbnore
Çavdarbasha qëndron denjësisht në krah të mjeshtërve të mëdhenj.
Ai arriti ta merrte gjuhën e artit modern dhe ta shkrinte atë me frymën, ngjyrat dhe elementet tradicionale të tokës së Kosovës pra të kulturës arbërore.
Ai ishte «Mjeshtër i shpirtit të kombit». Përmes modelimit gjenial të figurave si Ymer Prizreni apo Abdyl Frashëri, ai nuk bëri thjesht buste historike, por skicoi anatominë shpirtërore të një populli të tërë që kërkonte liri.
Kur shikon linjat e pastra të Agim Çavdarbashës, Parisi dhe Prishtina takohen me aq dashuri. Ai mori gjeometrinë, gjeografinë dhe historinë arbërore dhe e rikrijoi këtë modernizëm në palcën e drurit të arrës së Kosovës. Ai e ktheu dheun, dhimbjen dhe qëndresën tonë në një formë aq universale, saqë çdo sy në mund ta lexojë tragjedinë dhe dinjitetin tonë pa pasur nevojë për shpjegime tjera.
Kalvari i Veprave Gjatë Luftës
*
Gjatë luftës në Kosovë (1999), forcat policore serbe e dogjën Muzeun e Lidhjes së Prizrenit. Shtatoret e bronzta të Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sylejman Vokshit u hoqën me dhunë dhe u hodhën në lumin Lumbardh.
*
Mora daltën e Agimit sot në Paris,
ashtu siç arkeologu kur merr mistrinë,
për të gdhendur një re që s’ka vend,
trungu i arrës në Dardani pikon dritë,
ashtu si vargjet që mërgojnë në penën time
Nuk ka fustan, as ngjyra feste në këtë dru,
ka vetëm qafë të zgjatur, sy pa fund,
Gratë e Lubeniqit që shikojnë dikur,
atje ku historia jetës i jep kuptim,
Agim Çavdarbasha i dha mermerit një rënkim,
duke e lidhur modernizmin me këtë rreze e këtë rrethe,
duke e rikthyer historinë e Dardaninë në vendin e vetë,
ME LOTIN E SKLITUR DERI NË QIELL
ME LOTIN POETIK TË SEBIT QË TË PËRKUJTON ME DASHURI HYJNORE!

Paris-Prishtinë, qershor 2026

Shiko më pak