spot_img
Ballina «arbkult» Ornela Radovicka: Një lexim dekodues i librit «Retushim kohe» të autorit Afrim...

Ornela Radovicka: Një lexim dekodues i librit «Retushim kohe» të autorit Afrim Demiri

0
115
A202d347 48c9 41bc bf54 63345e65865b

(Apo: Duke depërtuar në labirintin “Retushim kohe”)

Kur lexoja këto ese të librit publicistik «Retushim kohe», të autorit Afrim Demiri, botuar nga Sh.B. «Faik Konica», Prishtinë, mu krijuan një ciklon frazash, ku notonin koncepte, mendime, teori. Ishin një lëvrim në mikrokulturë, apo edhe trajtë filozofike, brenda asaj makroplanetare, universale humane, ku preket marrëdhënia “Origjinë-ndërgjegje”.

Ornela Radovicka

Kur lexoja këto ese, mu krijuan një ciklon frazash, ku notonin koncepte, mendime, teori. Ishin një lëvrim në mikrokulturë, apo edhe trajtë filozofike, brenda asaj makroplanetare, universale humane, ku preket marrëdhënia “Origjinë-ndërgjegje”.

Çdo dritë e atyre arsyetimeve ishte si ato xixëllonjat që hapnin një skenar në palkoshenikun e mbrëmjes.

Bariu Santiago, në alkiminë e tij, nuk është në kërkim të tabelës së Mendelejevit, por në vorbullën e procesit të urtësisë biblike. Formula magjike e tij nuk vazhdoi të qëndronte në mëshirën kristiane të pritjes, por tulatet mes pelegrinëve të vonuar.

Një muze teorish; ndrydhje pafajësie, kode të heshtura, korniza kontaminuese, kasaphana e Luftës së Ftohtë, Tomahawk-a, ndëshkime të bardha e të zeza, më pritnin më pas!

Rrathë, jo ata danteskë, por biruca të burgosurish. Në atë qarkun e pambyllur, pika ishte levë e Arkimedit, e cila shtynte forcën e mendimeve të tyre, ku Lahuta e Malcisë do të shpërthente kordat.

Në arabesket e heshtjes, shqipja e mohuar për Illyricum Sacrum kërkon epitafin e gurëve, dhe Hesse të përcjell në botën moderne; në Parisin e madh, edhe pse mes njerëzve, gjithmonë ndihesh vetëm.

Poeti shkon dhe gjen poetin. Nuk dihet se gjejnë fjalën apo dikotominë.

Noli, Migjeni, Frashëri, Koliqi, Gjata, Bogdani, Buzuku, Barleti peshojnë ndërgjegjen e tyre në njësinë e kohës dhe kontekstin e jetës, ndërsa pirografia djeg dhimbjen e gdhend mendimet.

Mes tyre, Dritëroi; po të ishin njerëz të shekullit të ri, do të goditej ndërgjegjja e tyre.

Ismail Kadare e dinte mirë se “Po të futeshe në dosje rrallë hiqeshe prej saj.” (Ngeli “autor dinak” ajo dozë e duhur për ta radhitur veten në shtjellat e një shkrimtari intelektual.) Në progonishten e gurëve të Gjirokastrës debutonte aksioma se Kush e solli Doruntinën? Kronikë në gur vazhdon e heshtur të rrëfejë për Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, ndërsa turistët shijojnë pjatat e mbushura me “qoftet pasha”.

Një bohem rebel. Trekëndëshi poetik: Lasgushi, Camaj, Gashi. Janë atje, si pjesë e asaj Bermude artistike, ku edhe “Lum lumi” vazhdon të derdhet me dhimbjen njerëzore të Podrimes në “andrra” të Donika Dabishvecit.

Shkrimtarët duken herë si heronjtë e Gilgameshit, por kjo nuk zgjat shumë, sepse dalëngadalë këta heronj të erës shndërrohen në heronj fatalë.

Një botë ku lëvizja është astronomike të jep përshtypjen se mbizotëron teoria e “asgjës”. Aksiomë materialiste, aspak idealiste, e çdo gjë shkon shterp.

Kohë moderne ku flitet “Lamtumirë armë” në fasadat e qelqta, qirinjtë fiken ndoshta në ditëlindjen e qytetit e, pas atyre ngjarjeve të marsit, imagjinata ka prirje për vetëgjykim; shtet prej najloni. Një Kosovë epike, me atë dozë shije lirike të çokollatave të pakos së dërguar nga Titoja, që vinte prej Beogradit…

Kush sorollatet ose e sorollatin sheh gjëra të çuditshme. Emblema e komunës vendoset si mural tek hoteli, por autori vazhdon dhe endet në rrugën paralele, tek ato rrugica ku dikur ishte shtëpia nr. 11, rruga e Muhaxherëve, shtëpia ku jetoi Jusuf Gërvalla. Ecën dhe, në një tavolinë, sheh Bekimin që ka vënë Shakespeare-in e Kanunin e Lekës; ndihet i sigurt për çfarë thotë, është i lexuar.

Orhan Pamuk-u do të shprehej: “Në një vend ku nuk ndodh asgjë, asnjë njeri nuk ka arsye të pikturojë dhe asnjë njeri nuk mund të shkruajë.”

Por jeta është lëvizje. Stambolli mes erëzave aziatike dhe erërave evropiane, ndërsa kamarieri i Sarajevës përmbys kupa e puth çupa.

Ku shkoi Çoçarja e Moravisë, Lolita e Nabokov-it? Tashmë është Vegjetariania e Han Kang-ut. Erotike, një Lilith në miniaturë. Në piedestal qëndron Veronika e Coelho-s, e zhveshur dhe e veshur. Tërheqëse dhe shtytëse e moralit.

Një teatër absurd, ku treni i jetës, “Hauptbahnhof”, vagonat i ka ngarkuar me hirin e trishtimit. Lypësi me emrin Enver vazhdonte të endet në shinat e të marrëve, dhe në llërët e të rinjve të dikurshëm janë varrosur tatuazhet JNA (Jugoslovenska Narodna Armija); sot rilindin ato të UÇK-së.

Ndihet era e rrezeve radioaktive, por edhe era e blinit prej nëntë vëllezërve Jashari. Tash trungu familjar i është afruar 100-shit.

Një qëndresë ku historia nuk është e mbuluar me shami dhe demokracia nuk është një pjatë e thyer. Sartre-i nuk do ta pranonte reziliencën pa ekzistencializmin.

Ndihet Eco-ja e Zhiti, por edhe era e tymit, era e djegies. Duar të përgjakura. Craig-u qëndron si terapi humane përballë atij njeriu prej shiu, prej balte, prej pluhuri, i drunjtë, i bronztë, ku i përvuajturi nuk akuzon, troket “në prehrin e orëve të bardha”, ashtu siç është edhe ngjyra e vdekjes, mbështjellë në patologjinë e një fjalori, ku religjioni agon dhe perëndon në ciklonin jo të besimit, por të asimilimit në kulturë.

Ku shkoi gjaku i motrës sime?

Unë, i etur jam për ajër, qumësht-eklipsuar në vajtimin në binomin: Jetë-identitet.

Një labirint kjo jetë, në pafundësi ky planet, dhe qenia humane, si një heretik, masë kontradikte, vazhdon të ecë herë si e pafajshme dhe herë e ndëshkuar, por asnjëherë me ndërgjegjen e një pjekurie të lartë.

Ende është e vlefshme klithma e Levi-t: “Ky është njeriu”?