Një pikëtakim në Vjenë me këtë artist tonë të shquar, që prej vitesh jeton në Austri, gjatë orës letrare të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, e cila edhe e nderoi me mirënjohje, Gazmend Freitag, tregoj se sa shpejt krijon ura miqësie e komunikimi me njerëzit që nuk i ka takuar asnjëherë nga afër, siç ishte rasti edhe me mua, por që kishim bashkëpunuar me te përmes platformës tonë “«arbkult».ch”, duke u njohur më parë me veprat e tij se sa me vet Gazmendin!
Nga Rexhep Rifati
Mjaftoj një takim ditor në Vjenë me 30 prill që të njihemi nga afër me piktorin tonë të shquar që prej vitesh jeton dhe vepron në Austri, ku punimet e tija në pëlhurë kanë zënë vend në shumë galeri apo ekspozita qoftë personale apo kolektive. Por nga ajo që u pa nga takimi ynë me ne, lirisht mund të konstatohet se Gazmend Freitag, nuk rrezaton vetëm në punimet e tij në pëlhurë, por edhe në takime me njerëz të fushave të ndryshme duke krijuar aty për aty afërsi dhe miqësi të pazakonshme. Kjo ishte përshtypja ime personale me këtë piktor, por jo vetëm e imja por edhe e shumë pjesëmarrësve në takimin e Vjenës.
Që të mësojmë pak ma shumë për personalitetin e piktorit tonë, Gazmend Freitag, hyra te faqja e tij elektronike ku edhe mësova se ai është i lindur me 25 maj 1968 në Pataçan i Poshtëm në Kosovë, ndërsa që babai i tij Asllani, atëbotë punonte në Lyon të Francës si mërgimtar, e se për fëmijët kujdesej nënë Qamilja e cila ishte një grua bujare, e dashur dhe shumë shpirtmirë dhe e cila pindi pesë djem nga të cilët Gazmendi ishte i treti. Përderisa babai i Gazmendit punonte në Francë për ta, përkujdesej nëna, dëshira më e madhe e së cilës ishte që fëmijëve të saj t’iu mundësojë një shkollim sa më të mirë.
Sa i përket dhuntisë së parë për pikturë, mësojmë se Gazmendi, qysh në fëmijëri e shprehi prirjen e tij për vizatim, ndonëse krahas vizatimit i përkushtohej edhe letërsisë. Vizatimet e tij që në shkollën fillore zbukuronin muret shkollore për fat të keq ato u shkatërruan në kohen e diktaturës së regjimit serb në Kosove ne vitin 1999 kur është djegur ndërtesa shkollore.
Ndonëse kishte prirje për art, Gazmendi i fillon studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, por pasi kishte mbaruar dy semestra. Studentët në shenjë revolte organizojnë protestat që nga viti 1989 për mbrojtjen e të drejtave të tyre, e në ketë mes ishte edhe vet Gazmendi. Në këto rrethana në vitin 1990, ai do të largohet nga vendlindja dhe migroi në Gjermani kur edhe merr hapin vendimtar t’i kushtohet pikturës. Në vitin 2013 i vijon studimet në drejtimin e artit nudo, kryesuar nga Prof. Mag. Annelies Oberdanner në Universitetin e Arteve në Linz.
Sa i përket punimeve të tij ato janë me motive të shumta: autobiografike, nga mjedisi dhe rrethi i jetës, peizazhe nga vendlindja, portrete njerëzish nga më të ndryshmit, kujtime nga fëmijëria në vendlindje, punime nudo, natyrë e qetë etj. Kryesisht teknikë nga grafika me laps, shkumës, tush apo vaj. Afirmimin e tij të mëtejshëm e arrin përmes pjesëmarrjes në Bienalin e parë në Verona, Itali, 2014.
Sa i përket vendbanimit aktual, Gazmendi që nga viti 2004 jeton dhe vepron në Linz të Austrisë, ku edhe nga viti 2013 është anëtarë i shoqatës ::kunstprojekte:: në Vjenë, ndërsa nga viti 2018 anëtar në galerinë Artinnovation në Innsbruck.
Porse sa i përket emrit të këtij piktori tash ai është bërë thuaja se familjar për banoret e distriktit të katërt në Vjenë, kjo falë bashkëpunimit të tij me dy ambasadat të këtij distrikti, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, në kuadër të projektit „Dita e Dyerve të Hapura të Ambasadave”. Vitin e tretë radhazi, ambasada e Shqipërisë në Vjenë ka hapur dyert e veta duke mirëpritur vizitorë të shumtë, banorë të distriktit, për t’i njohur ata me Shqipërinë dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Austrisë, të dëshmuara thellë ne histori. Në këtë kuadër një shërbesë e ka dhënë edhe Gazmendi përmes hapjes së ekspozitave bashkë me piktorët shqiptarë në Austri si janë, Iliriana Ajeti dhe Gjergj Mazi.
Sikurse edhe në vitet e shkuara, grafikat e Gazmend Freitag e marrin shtysën nga historia e shqiptarëve dhe tradita folklorike e kombit të tonë. Veprat e ekspozuara nga ai, jo rastësisht në kuq e zi, përbëjnë një mozaik me shumë përmasa kohore, gjeografike, historike dhe etnografike mbi shqiptarët që shtrihen nga Mitrovica në veri dhe zbresin deri në Gjirokastër në jug, nga periudha e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i vlerësuar si mbrojtës i krishterimit, deri tek historia e fundit gjatë Luftës së Ftohtë. Biografia e artistit tonë tani më është e botuar në disa gjuhë botërore të katalogëve të piktorëve aktiv me vepra të shpërndara e të kërkuara.
Gëzon fakti se ditëve në vazhdimi Gazmendi do të ketë edhe një prezantim të radhës edhe atë me 18 Qershor 2023 në Festivalin e Kulturave të Popujve në Salzburg, ku do të merr pjesë edhe Shoqata Austriake-Shqiptare “Alexander Moisiu”, ndaj edhe një nga pikturat e piktorit tonë i është kushtuar pikërisht aktorit tonë me përmasa botërore Aleksandër Moisiut.
(Disa nga fotot i huazova nga fb i Gazmendit)













