spot_img
Ballina Kulturë Art Piktura L’Albanaise në Muzeun e Brooklyn-it

Piktura L’Albanaise në Muzeun e Brooklyn-it

0
7

Pamja, kultura dhe tradita shqiptare ndër vite s’kishte si të mos u binte në sy edhe artistëve të huaj. Piktori i famshëm francez Jean – Baptiste – Camille Corot ka shumë vepra të tij që edhe sot janë të ekspozuara në Muzeun e Brooklyn-it në New York. Një ndër to është edhe piktura e titulluar L’Albanaise (Shqiptarja).

L’Albanaise (Shqiptarja) e vitit 1872 e realizuar me teknikën vaj në pëlhurë, sot mund ta shikoni në Muzeun e Brooklynit, në galerinë e koleksionit të arteve Evropiane në katin e pestë. Piktura është e nënshkruar poshtë në anën e majtë me mbishkrimin Corot dhe paraqet portretin e një gruaje të re shqiptare me veshjet e saj tradicionale.

Piktura në fjalë vazhdon të mbetet një nga më të njohurat e Camille Corot dhe e shfaqur në shumë ekspozita siç ishin: A centry of French painting (1988-1989), 700 Years of European Paintings (2003-2008). Piktura sot vazhdon të shihet në ekspozitën e titulluar The Real and Imagined in European Art, nga data 11 shkurt 2022 dhe mbetet e hapur deri në 21 maj të vitit 2023.

Më shumë për piktorin e veprës

Jean – Baptiste – Camille Corot ishte piktor francez kryesisht i peizazheve dhe portreteve. Deri në moshën 26 vjeçare qëndroi pranë babait dhe merrej me tregti, kur edhe i ati i tij u bind se jeta e tij duhej të drejtohej nga bota e artit. Kështu ai iu drejtua pikturës me vaj rreth vitit 1821 dhe filloi menjëherë me peizazhet. Me mbështetjen e prindërve arriti që të shkonte në Itali e të zhvillohej edhe më tej në karrierën e tij duke njohur shumë piktorë të rinj. Një gjë e tillë bëri që ai të kishte mndësi të mësonte nga artistë të mëdhenj e të përforconte edhe më tej teknikat e tij.

Njihet të ketë qenë i tërhequr shume nga figura e gruas, prandaj punoi në studimet e figurës së gruas me veshje amtare. Për vetë faktin që nëna e tij ishte dizajnere e famshme, ai ishte gjithmonë i rrethuar nga gratë, për të cilat merrte shënime dhe i trajtonte si modele për pikturat e tij. Nuk dihet nëse një gjë e ngjashme ndodhi me vajzën në pikturën L’Albanaise.