(Kronikë eseistike)
Sot në 22-vjetorin BLLACA’99, në shënimin e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe në muajt mars-prill të vitit 1999, si dhe në 100-vjetorin e Hasan Prishtinës, kryeministër i Shqipërisë.
U bë edhe përurimi i Murit përkujtimor, në organizim të Shoqatës për kthimin e shqiptarëve në trojet e veta, në krye me Jahja Llukën, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përfaqësuar nga drejtori i ITSHKSH z. Skender Asani dhe Komunës së Hanit të Elezit, kryetarit Refki Suma- të cilët edhe mbajtën fjalime rasti.
Merrnin pjesë edhe krijues letrarë, artistë figurativë e veprimtarë nga viset tjera etnike. Përpos “Muri të Kujtesës”, vepër mozaiku e piktorit Fatos Kabashin dhe e të rinjve tjerë të ndërtimit e punimit arkitektonik, u bë edhe përurimi i parkut “Hasan Prishtina” (foli Mehmet Prishtina).
Merrnin pjesë struktura politike e përfaqësuese komunale të Hanit të Elezit, shoqatave, veprimtarëve. Për përjetimet në Bllacë, foli Ali Dida.
Momente mbresëlënëse:
– Pjesëmarrja e Nënës me fëmijën e saj, foto që pushtoi botën në kohën e eksodit,
– takime me të rinj të Kryqit të Kuq të Kosovës (dega në Kaçanik), që kishin improvizuar tendat e kohës së luftës,
– takime me krijues nga Shkupi, Prizreni e Prishtina, me veprimtarë nga Malisheva etj.
Dhe, në shkuarje e në kthim, nga një kafe në rrugë, si përjetim kohe në kohë pandemie (meqë kafenetë nuk shërbejnë),
2.
«Përjetësisht në memorien tonë», ishte një mbishkrim që lexohej në ambientet e Bllacës.
E po, kujtesa historike na është një shtyllë e identitetit tonë nacional.
Çka na kujton Bllaca?
Na e kujton, përpos UÇK-së edhe një ushtri tjetër, një ushtri të tërë, qindra mijëshe, prej grave, pleqve, fëmijëve, njerëzve duarthatë, ushtria më e çuditshme në botë.
Përse ushtri?
Sepse ata ishin të armatosur vetëm me vetëdijen e shpirtin e tyre, me të qenët shqiptarë.
Porse, i mban gjallë edhe ky shpirt kujtese, kësaj radhe, i thadruar te një Mur. Aty ishin shënuar thënie të njerëzve të spikatur të Evropës Perëndimore e SHBA-ve.
Populli ishte duarthatë. Ishin njerëzit më të pafuqishëm në botë. Dhe thuhet: shpesh të pafuqishmit, ata miliona të tillë, e bëjnë historinë, siç thotë Vaclav Havel te eseja e tij “Të pafuqishmit”.
Ç ‘është një mur?
Nëse eksodi biblik po i jepte një shenjë Epokës së re të kthesës historike, me golgota e mundimeve, me dëbimet e vrasjet, me djegiet e përjetimet e rënda; atëherë aty vjen nj Mur i Mundimeve. Mu si te hebrenjtë që lutjet i bëjnë te Muri i vajtimeve për shkak të eksodeve e gjenocideve për mijëra vjet me radhë.
Kështu kishte ndodhur edhe me shqiptarët e dëbuar që më 1976 nga Toplica, Vranja, Nishi e Sanxhaku, kur u zhbënë 714 fshatra shqiptare, nënë firmën «mbetje osmane»: kështu ndodhi më 1913-14, kur Serbia e pushtoi Kosovën, apo më 1930 e 1956, kur u shpërngulën me nga gjysmë milioni njerëz për në Turqi nën firmën «turq».
Mirëpo, kësaj radhe ishte ndryshe: ishte rreshtimi ynë kah Evropa Perëndimore e SHBA, prej nga erdh edhe shpëtimi. Kësisoj, edhe kthimi ishte biblik, së bashku me forcat e NATO-s e me lirinë e Kosovës. Liria ka kuptim për njerëzit e gjallë.
Kurse kujtesa shndërrohet në sublimen e saj kur kujtojmë të kaluarën.
Kjo kujtesë e ka tragjiken e saj, por e ka edhe bukurinë e saj, që e ruan të paprekur thesarin e asaj golgote e të atij përjetimi: tashmë i gëzojmë të mirat që t’i ofron liria «Një nga çelësat e lumturisë është një kujtim i rëndë» ( Rita Mae Brown). E pra, Liria, na është shpërblimi më i mirë për vuajtjet dhe të rënët. Secili prej nesh është pjesë e asaj vuajtjeje dhe e shpresës.
Dhe secili prej nesh e ka atë mur mundimesh, të gravuar në shpirtin e kujtesës së vet.
Dhe Murin e Përbashkët të Kujtesës së Përbashkët nacionale.
(10 prill 2021)




















