spot_img
Ballina Kombi TIMONIN E FESË DUHET TA MBAJË SHTETI

TIMONIN E FESË DUHET TA MBAJË SHTETI

0
118
6A194297 3331 4C0D 8835 7C439472D150

 

Shqiptaria është më e madhe se çdo përkatësi fetare. Nuk na bën më shumë apo më pak shqiptar mënyra si lutemi, xhamia apo kisha ku hyjmë, besimi që kemi trashëguar ose ndryshuar. Feja është zgjedhje dhe e drejtë e individit, shqiptaria është përkatësi e përbashkët.

Secili duhet të jetë i lirë ta praktikojë fenë e vet. Problemi nuk është xhamia, kisha apo besimi i tjetrit. Problemi fillon kur feja përdoret për të ndarë, për të etiketuar dhe për ta zëvendësuar shqiptarinë me një identitet fetar.

Kur një shqiptar katolik quhet “kryqtar” apo “shkja”, kjo është po aq e dëmshme sa kur një shqiptar mysliman etiketohet “arab”, “ISIS”. Në të dyja rastet sulmohet shqiptari përmes fesë.

Rasti i Vushtrrisë duhet parë pikërisht në këtë frymë. Katoliku ka të drejtë në kishën e tij, myslimani në xhaminë e tij, ortodoksi në kishën e tij dhe jofetari në të drejtën për të mos besuar. Por shqiptaria duhet të jetë ura që bashkon, jo fusha ku përplasen fetë.

Asnjë fe nuk ka monopol mbi shqiptarinë. Asnjë shqiptar nuk është më pak shqiptar për shkak të fesë që beson, gjersa nuk e vendos fene para ligjit, para shtetit dhe para kombit.

Feja duhet të jetë e lirë, por shteti duhet të qëndrojë mbi fetë. Kleri duhet të ketë të drejtë të predikojë dhe të ushtrojë lirisht besimin e vet, por autoriteti fetar nuk mund të ushtrojë pushtet politik, të funksionojë me burime të dyshimta financiare apo të pretendojë norma fetare mbi ligjin e shtetit.

Feja mund të jetë busull e ndërgjegjes së individit, por timonin e shtetit duhet ta mbajë ligji. Feja është çështje e ndërgjegjes, shteti është çështje e ligjit. Kur shërbime të huaja e kthejnë fenë në instrument ndikimi, manipulojnë klerikë e besimtarë dhe i vënë kundër shtetit ligjor, nuk kemi më të bëjmë thjesht me besim, por me një kërcënim ndaj sovranitetit dhe ekzistencës kombëtare.

Dhe këtu, fjala e parë dhe e fundit i takon ligjit. Sepse në një shtet të së drejtës, as feja, as kleri, as politika dhe asnjë pushtet tjetër nuk qëndron mbi të.