DONIKA NË QEVERINË E KOSOVËS
– po dhe në Ditën e Poezisë –
Nga Visar Zhiti
E dimë, është dhe zëvendëskryeministre, e njohim dhe si ministre e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, pjesë e politikës aktive në Kosovë që nga vitet e rezistencës dhe të shtetndërtimit, – mund të lexosh për atë…
E bija e Jusuf Gërvallës – veprimtar i shquar kombëtar, poet, muzikant dhe gazetar, tashmë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës, i vrarë në mërgim në Gjermani nga shërbimet e fshehta jugosllave, – mund të lexojmë prapë.
Unë dua të tregoj se ajo atëherë, vogëlushe me flaut, erdhi në Tiranë dhe dha një koncert…
Ne e pamë në televizor, por në burg, na i lanë hapur atë mbrëmje, se kishim punuar shumë në minierë, etj, etj.
U trondita dhe u preka dhe shkruajta një poezi fshehurazi, është në fletoret e mia të burgut… dhe do të botohej më pas në librat e mi “Si shkohet në Kosovë”/ “Si është Kosova” si dhe në botimin anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, edhe është përkthyer dhe në gjuhë të tjera…
Nuk jam takuar ndonjëherë me Donika Gërvalla-Schwarz, por pasi ka lexuar poezinë, ajo më është përgjigjur në email, e ruaj letrën e saj, ja, disa pjesë:
“…Poezia më emocionoi jashtë mase.
Mund t’i imagjinoj shumë mirë ndjenjat e poetit të burgosur nga diktatura kur dëgjon për vrasjen po nga një diktaturë e poetit.
Para disa ditësh dëgjova në radion gjermane Deutschlandfunk një emision për gjendjen e ish-të burgosurve politik në Shqipëri.
[…]
Në pritje të realizimit të shëtitjes së premtuar, në Tiranë, Prishtinë apo edhe Bonn mbetem
Juaja,
Donika”
Besoj shumë se atë s’e ndalon asgjë të vijë sërish në Tiranën dhe të saj, s’ka tela me gjemba në kufi e as aq të çmendur sa t’i thonë: kthehu pas!…
Ndërkaq po e sjell poezinë sot si një mirëseardhje shpirtërore në Ditën e Poezisë:
VAJZA ME FLAUT
Donika Jusuf Gërvallës
ose Kosovës
Zog dridhës
mbi degë të kristaltë mengjesi –
buzët e tua mbi flaut.
Po flauti ç’është? Fryma e fundit – buçimë e ngrirë,
e gdhëndur në dru,
varr elegant i shpirtit.
Si e magjepse Panin dhe ta dhuroi?
Po ti je e vogël, e vogël, e vogël,
ja, sa buqeta e luleve
që të dhanë në koncert.
Ke emër princeshe, Donikë,
me kurorë të përzishme mbi krye.
Se e madhe, oh, më e madhe është
dhëmbja për ty,
se ai vend i huaj me emrin Gjermani
ku të vranë babanë.
…………………………………………………
Vrimat e plumbave breshëri
e ndërprenë vjershën time. Po a janë ndryshe nga vrimat e flautit?
Ti vrënjtesh
siç nuk vrënjten fëmijët.
Ne, të burgosur,
i ndjejmë shumë jetimët.
Mbi plagët tona,
të lutem, vëri gishtat e vegjël
që të përmendemi
e të vërshëllejmë diçka për jetën:
…ca shkallë ndodhish,
një derë që na ndërpret… vazoja
e kujtimeve mbi tryezë…
… një libër i lënë përgjysmë
që pret ta mbarojmë,
qoftë dhe mbas vdekjes.
Kur të dal nga burgu,
patjetër do të dal,
do të kërkoj, do të kërkoj
bashkë të shëtisim.
Ti mos u tremb,
nëse unë jam fantazmë.
Zëri im do të tregojë
se ç’kam shkruar fshehurazi
për babanë tënd:
(Nëpër shtegtime,
po t’u duhen opinga luanëve,
e pse të mos marrin
ato të kosovarëve,
gjersa Kosova
plagë luani mban mbi shpinë!?)
A s’është kështu, princesha ime?
Ku mbarojnë kufijtë e Shqipërisë,
fillojnë shqiptarët e sakrificave –
përsëri do të them
i revoltuar.
Si babai yt dhe Atdheu është shtrirë
me plagë nëpër trup.
Po ti me gishta prej rrezesh
prekja butë-butë,
ja, ashtu si vrimat e flautit,
me dhimbje.
Ndoshta ngrihet,
princesha ime.
Burgu i Qafë Barit, 1983
Kanë kaluar më shumë se katër dekada nga atëhere, ka ndodhur më e pabesueshmja, që të dënonin po ta flisje: Kosova është Republikë dhe e pavarur, falë luftës së saj dhe SHBA-së me ndërhyrjen ushtarake si NATO dhe tani Kosova ka shumë për t’i treguar shtetit në gjysmën tjetër amë, dy Shqipëritë, – siç thoshte Poeti, – presim të bashkohen. Nuk ka mê të pabesueshme…









