spot_img
Ballina Aktualitete Ornela Radovicka: Vështrim mbi Trilogjinë poetike të Afrim DEMIRIT

Ornela Radovicka: Vështrim mbi Trilogjinë poetike të Afrim DEMIRIT

0
218
WhatsApp Image 2026 05 24 at 16.43.52 (1)

Duke udhëtuar me veprën “Zoti vdes i pari”

– Brenda atyre poezive eklipsohet një filozofi, të cilat kthehen në simbole morali. Në to shprehet fenomeni kozmik si dita, koha, nata, retë; numërohen  toponime;  siten gjurmë historike; preket  eposi, mitologjia; qarkohet sensi i familjes dje dhe sot; spërkatet sensualiteti dhe ndjenja e dashurisë, trajtohet tema  politico-sociale me një dozë të lehtë  “mikro satire”, që rrallë i gjejmë tek poetët e tjerë shqiptar.

Vëllimi poetik “Zoti vdes i pari” është një cikël me poezi i ndarë në tre pjesë (në tre libra: “Zoti vdes i pari”, “Koha vertikale” dhe “Gega i gjetun”), të cilin autori e ka titulluar “ Triologji poetike”. Libri  është botuar nga Shtëpia botuese Littera, 2024, në Prishtinë. Secila pjesë është vektor më vete dhe të gjitha së bashku kthehen në një drejtës, segment i së silës është: njeriu- vevetja, bashkëkombësi, dhe universi, mbërthyer në prizmin e perceptimit të tij, si edhe në kujtimet e jetuara, në kohezion me vlerat  humane, duke e skicuar me bukurinë stilistike.

Brenda atyre poezive eklipsohet një filozofi, të cilat kthehen në simbole morali. Në to shprehet fenomeni kozmik si dita, koha, nata, retë; numërohen  toponime;  siten gjurmë historike; preket  eposi, mitologjia; qarkohet sensi i familjes dje dhe sot; spërkatet sensualiteti dhe ndjenja e dashurisë, trajtohet tema  politico-sociale me një dozë të lehtë  “mikro satire”, që rrallë i gjejmë tek poetët e tjerë shqiptar.

Libri, hapet me linjën  piramidale, ose më mirë  gjerarkike,  me poezinë  “ Zoti vdes i pari”, ku trajtohet termi  jo në përmasat e atij  koncepti teologjik, por i tkurrur në individin “ Njeri”,  dhe si i tillë është  edhe “vet autori”.  Kjo filozofi  na përcjellë tek aksioma e  Niçes, në Hyjnoren e reduktuar në shkallë njerëzore. Secili nga ne ka shëmbëllimin e Zotit, dhe secili nga ne në hapsirën e tij  duhet të jetë “Zot i vetes së tij” .

Poezitë e autorit Afrim Demiri janë të shtrirë në formë ciklike në hapsirë dhe në kohë. Në këtë vorbull  “koha jep ditët me çmim të lirë”.  Njerëzimi, krijuesi i çisternave të ujit, por edhe frikacak i zjarrit,  flakën që  e shpiku vet, duke i dhënë shkas  mbijetesës drejt civilizimit, formuluesi i burokratizmit; “Letra pa fund, për çdo rrjedhje uji të çisternave”.

 E nesërmja, për autorin është  “një e sotme e vdekur”, mund të jetë  një  kohë statike, si alabastrat  e ftohta të varreve. Një  “kohë  e ngrirë” në moshë. Brenda,vetes jemi ende  fëmijë, ngelemi  Petër Pan në miniaturë. “Mallkim që nuk lëshon”- shton autori.

Koha, kthehet në pikë. Ai kod adimensional  ku të gjitha arkitekturat marrin forcë, por  edhe ai paradoks,  ku të mjafton vetëm  një pikë mbështetje- thoshte Arkimedi -dhe unë përmbys gjithë botën.

Koha e përjetësisë ku” Koha” është një ballsam, por nuk është një  ballsamim

Për autorin, Koha ngelet ai këndvështrim paradoksi,  ku qënia humane “shpikse  e lumturisë”,  ngelet e  vetme qenie biologjike që përgatit varrin  tjetrit, edhe pse  të  ditur( por jo të bindur) që nga kjo jetë mund të ikësh edhe “duke pirë një makiato”.

Njerëzimi (ajo që quhet Epoka e Re) prej dy mijë vjet dhe nga kjo anë, në qendër të vëmendjes  mbart aksiomën më të egër njerëzore: Shtypja e njerit prej njeriut, edhe pse sot ekziston në formën më të  kamufluar: Zoti vdes i pari, thotë  autori Demiri, duke  prekur në mënyrën empirike, këtë temë  në poezinë e titullar, por thellimin e bën në tre pjesët e këtij vëllimi që e trajon si një triologji.  

Një kohë e verbër. Në verbimin e shqipes, zogjtë e qyqjes rënkojnë. Verbëria e autorit nuk  është  i “karakterit  Braile”, që  për të parë e kuptuar  i duhet ndjeshmëria e gishtave, por asaj i duhet  ndjeshmëria e e shpirtit. Ai ndien qiellin si zookos. Ai ngelet  një dromës e pallogaritshme e algoritmimit kuantistik  të lavjersës qiellore, ku skicohet Mitra kozmike  e shpërthen Një Bing Beng i ri.  Në këtë jetë çdo gjë normale qëndron pezull  në anormalitetin e saj. Macja merr në gojë “minjtë” për pjellën e saj, ndërsa qënia Humane që i është dhuruar ndërgjegja, shpesh është thjesht  si aksesor: në parafangot e një makine me kilovat fuqie të lart, një trumcak i shtypur, një video game, një shoqëri e dështuar.

Koncepti i “Ditës” për autorin ka ngjyrime të personifikuara. Dita, nuk  ka imazh, ajo ka fytyrën e saj, herë herë ia vjedhin fytyrën, Dita ka neurone,  Dita, është delikate aq sa edhe të çmendet lehtë, Dita është diçka që edhe oksidohet “ndryshket”, dhe për tu liruar prej saj mjafton të mbyllësh sytë.  

Tema patriotike, nuk është e sensit revolucionar, shpërthyes, ku mbizotron akti fjalës, por i kamufluar me një dozë të fuqishme ndërgjegjeje; Kur  inceset Atdheu, shpesh ngelemi  si ajo gjethja e fundit të vjeshtës që reziston ende erës,  apo atyre dallgëve  sentimentale mbi atë Bosforin  ku lindi një civlizim  “Kostandinopol”, me kahun  tjetër nga Evropa.  Shqipëria kryq e tërthor në unazat e saj vertebrale, shenjat e shpatave ende janë, e gëzhojat e plumbave që palcën kanë kërkuar t’ia nxjerrin.

Autori  nuk përdor patosin klasik, por zëvendëson artin, forcën artistike të ndërthortë, vë në dukje forcën e bukurisë natyrore të këtyre trojeve ku sytë e saj lahen me detin Jon,  ndërsa detit të poetit,  dallgët e shpirtit i eklipsohen; “brënda detit, n’det”.

Autori nuk karakterizohet nga ajo mahnia hiperbolitike patriotike, shkruan vetëm  ndonjë varg për mikun, por, vargu nuk është  me patos,  sepse  nuk ekziston vdekja, është vetëm thjesht faktor gjoegrafik, në tjetër planet ku ka ndërruar vetëm adresë.(Diptik për Bekim Lumin\ Mund të ndërrosh adresë, por nga zemra jonë nuk mund të ikësh kurrë)

 Arqipelagu i vargjeve të tij është i thurur me një gamë të gjerë: aty do të ndeshim formën tangjente të notave satirike, që na sjellë autori në poezitë; “Lepuri dhe Kanuni i Lekës”, “Emri i keq Edip”. Oaze të cilat mbërthejnë  dialektikën hegeliane( teza- antiteza), pohim dhe mohim, (As Unë dhe  as Ti)  në lojën  morale  të ekistencializmit.

Herë, vargjet janë një tavolinë shahu, bardh e zi,  plot kontraste, në mes ka një xham, nuk  ka rregulla, ka brryla, ku loja njerëzore nuk  ka stafetë, por nis përsëri, dhe në këtë ciklon ndihet edhe  fishkëllima e vetmisë, herë qëllon me nota epike;  krisma që  priten të ndalin qerpikë që ndjejnë nën lëkurë shijen e lirisë, por edhe kur fitohet liria, udhë të shteruara, dyer të kyçura, valixhe plot me ëndërra.

Vargjet e tij mbajnë dramën dhe endrrën.  “Dritare që fluturojnë si dallëndyshe” por edhe  ëndërrat nuk kanë sensin e përjetësisë, ato janë “Kometa” të cilat ndryshe nga yjet, shkëputën dhe shuhen.

Poezia e tij mbart bukurinë surrealistike

Hëna që kthehet në midhje, Binarët pikëçuditëse, janë vargje që na përcjellin stilin surrealistik si në veprat  artistike të Escher-it.

Udhëtojmë në këtë triologji dhe shohim që nuk mungojnë  vargje të një romantizmi bukolik, folkloristik, sensuale; Asnjë pikë shiu nuk  pi nga mollzat e tua, e gjurmët e hijeve mbartin qortimin e njomë, fjalët e lagura, molla e kuqe e  Edenit,  Adami i Fundit,  frymojnë në ethet kiekergaarde  nga poret prush, por edhe ajo dozë e dashurisë platonike “stil novator”  i mbyllur në endërrat si një “ Guackë deti” , në mallkimin “ të vraftë reja për së kthjellti”.  

Koncepti i lidhjes”Martesore” si një projekt jete, apostrofohet në “Unë, ti dhe përfundon në “pësoren” vetvetore, ku secili mban peshën e sentimentit por edhe të përgjegjësinë, besnikërinë apo tradhëtinë. Vdekja mbart numrin çift – thotë autori- X dhe Unë. Gjenerata X, por edhe një shoqëri e lëngshme pa asnjë kontenitor, gjë e cila  na kujton deri diku Bauman.

Në ciklonin e vjershave  mbizotron  ngjyra e  kuqe si ; Prekazi, ku edhe Hëna dhe dielli, ngjyejnë rrezet në tonalitetin e tij,  Zanat mbartin puthjet e tyre të zjarrta,

Figura e Hënës, nuk është thjesht metamorfozike,  herë në formën e një presje dhe herë në formën  e një pikë loti, ajo mbushet jo vetëm me nota të  personifikuara, por edhe “profetike në laicitetin e saj”: Hëna me buzët e saj të varura në filxhanin e kafesë,  lexon fatin e kamarierit, në tavernat e natës. Por, edhe një Hënë, jo statike, bushtër e verbër, në alegorinë e saj. 

Autori, në këtë palkoshenik trilogjik nuk na jep  “titrat e krijesës së Zotit”, pjesë e asaj natyre, që përsosmëria humane është larg nga ajo teologjike. Në origjinën tonë kemi ende nga ajo ADN-ja e australopitekut, dhe për këtë  kodik, autori  na kujton se njerëzimi u vetquajt  “Homo sapiens” dhe me të drejtë lind pyetjen:

 Homo sapiens ku je?  Ku edhe sot kjo qenie është një masë kontradicioni.  

Koha, mbart gjerarkinë e saj “Vertikale” edhe në kohët  moderne.“Gratecieli” (rrokaqiejtë) shtojnë numrin e kateve dhe ashensorët ngjiten verikalisht, shtëpitë  horizontale po vdesin nga vetmia njerëzore. Kujtimet nuk kanë më erë, raftet janë boshë, njerëzimi  gjitar,  shpesh metramorfozohen si zvarranik, (nuk lexohet më Kafka por  “buburrecin  e Kafkës” që  tërhiqet zvarrë, e shohim si në jetën politike ashtu edhe sociale) Tolstoin ndoshta nuk e njohin, por Lufta dhe Paqja  janë në rendin e ditës, kalojnë shekuj e  gjithmonë në vend numërojnë.  

Bota kibernetike, është edhe në vargjet e autorit “fjalët kyç, Paswordi”, ajo botë e inteligjencës artificiale ku po shkon njerëzimi, triumfi hibrid midis njerëzimit dhe makinës, ku poeti nuk pajtohet me kodin e paswordit, sepse  për të asgjë  nuk është numerike, ai vet është  një elektron  i lirë me shpirtin i lirë në  rrezen e parabolës së ekuilibrit të kozmosit, ku shtrihen mendimet e purpurta, retë, mjegulla, muzgu, e shkrihet “psika racionale gramatikore” me  katedralen gjeometrike shpirtërore të tij. 

Kur lexon  disa nga vargjet e tij  të kujtojnë  Eseninin, që t’merrohej nga një tip civilizimi që ndoshta për kohën nuk kishte “masën humane”. Shëndërrimi urban, për autorin  rrit këngët e vetmisë, baladat rënkojnë pa fjalë, Idioti i Dostojevskit, shëndërrohet anonim në ludotekat në heshtjen e mosnjohjes,  monotonia,  “Zymtësia- përditshmëri”, binomi që  mbërthen si darë qytetet, ku rreth e rrotull si një manifest vdekje varet fotografia e  politikanit.

Në  vargjet e autorit nuk mungon as pozita gjeografike. Shikimi i tij si dy  iride vektoriale ndalet te bifurkacioni i qytetit Ferizaj. Ah sa i çuditshëm ky fenomen, sa e begatë kjo tokë,  ku fqinjtë e lakmuan. Jo shumë larg  ndihet zhurma e shpatave- thotë autori- Për poetin nuk mjafton të kapërcesh Vardarin për të njohur fqinjët, u dashka të kapërcesh marrëzinë.    

Autori titullon ciklin e tretë: “Gega i gjetun”. Përdorimi i Gegnishtes, hap një temë që ende nuk i është dhënë dinjiteti i saj,  asnjë  paskajore standarde s’mund t’ia japë bukurinë fjalës, rrëfimit artikulimin, sa ajo formë paskajore  e gegnishtes

 “ Me u…” , të mohuar e të lënduar që e bën shqipen sa më të lashtë e më hyjnore, por mbi të gjitha- thotë autori- të jesh “ gegë” me gegnishten e saj nuk është e lehtë. Atë gegninshte të mësuar në atë shtëpi ku edhe poret gurëve frymojnë Gegnisht. Në atë votër ku ndihet aroma e simites së nënës, e dallëndyshet krijonin folet, shtëpia  nr 67. Në përshkrimin e asaj shtëpie autori lë prapa relistikën\ realen,  dhe mbath petkat si një pikturë surrealistike; shtëpia me pamjen e Babës, plak me kapelen e cigaren në buzë”, (e cila të  na kujton ato  veprat e artistit  René Magritte), por as nana e as Baba nuk janë më.  Një realitet që shkrihet  vetëm në një kujtim.  Në poezitë e autorit  bashkëjeton  ekzistenca në një metafizikë të fuqishme. Autori në plan të parë duket empirik ndaj çështjeve, por ngelet një arbitër i veprës së vet.  

 Mendoj se“ Njeriu- Zot”, për autorin  qëndron tek forca e  arsyes. Ky zot është i fortë dhe i brisht, me mish e me gjak, me skelet e kollon vertebrale, por më tepër se fjalën  Zot, në të gjithë ciklin  përmendet  fjala Kohë dhe Dritë, ai kod iluministik  dhe humanist, që nuk e anashkalon edhe tek shtjellat e një surrealizmi ku konkretja prek imagjinatën spaziale\ hapsinore, e cila  plotësohet me   mitologjiken: Herkules dhe Apolloni,  emblema e arsyes.  Mund të them se cikli  “Zoti vdes i pari, është një cikël me dozë  Kozmologjike ku autori  eksploron marrëdhënien  midis vet autorit  dhe universit. Poeti na përfshin në misterin e pafund të kozmosit, duke kaluar nga sublimja  e vlerave, në kërkimin e një aleance midis  kujtimeve, thellësisë emocionale e romantike.

Retorika metrike që përdor autori, të çon në një eksplorim  të një forme orbite të artit, ku bashkohet mekanikja me organiken, E të bënë  të hetosh si reflektimi i jep ritëm pafundësisë në një udhëtim  Rrethor pa arritur kurrë në zemër të substancës së mendimit. Si boshllëku midis ekzistencës  dhe pafundësisë, ai rajon konfuzioni, që inteligjenca nuk mund ta mbushë kurrë, por në të cilin poezia mund të gjejë një pasuri të paçmuar shprehëse.