Duke udhëtuar me veprën “Zoti vdes i pari”
– Brenda atyre poezive eklipsohet një filozofi, të cilat kthehen në simbole morali. Në to shprehet fenomeni kozmik si dita, koha, nata, retë; numërohen toponime; siten gjurmë historike; preket eposi, mitologjia; qarkohet sensi i familjes dje dhe sot; spërkatet sensualiteti dhe ndjenja e dashurisë, trajtohet tema politico-sociale me një dozë të lehtë “mikro satire”, që rrallë i gjejmë tek poetët e tjerë shqiptar.
Vëllimi poetik “Zoti vdes i pari” është një cikël me poezi i ndarë në tre pjesë (në tre libra: “Zoti vdes i pari”, “Koha vertikale” dhe “Gega i gjetun”), të cilin autori e ka titulluar “ Triologji poetike”. Libri është botuar nga Shtëpia botuese Littera, 2024, në Prishtinë. Secila pjesë është vektor më vete dhe të gjitha së bashku kthehen në një drejtës, segment i së silës është: njeriu- vevetja, bashkëkombësi, dhe universi, mbërthyer në prizmin e perceptimit të tij, si edhe në kujtimet e jetuara, në kohezion me vlerat humane, duke e skicuar me bukurinë stilistike.
Brenda atyre poezive eklipsohet një filozofi, të cilat kthehen në simbole morali. Në to shprehet fenomeni kozmik si dita, koha, nata, retë; numërohen toponime; siten gjurmë historike; preket eposi, mitologjia; qarkohet sensi i familjes dje dhe sot; spërkatet sensualiteti dhe ndjenja e dashurisë, trajtohet tema politico-sociale me një dozë të lehtë “mikro satire”, që rrallë i gjejmë tek poetët e tjerë shqiptar.
Libri, hapet me linjën piramidale, ose më mirë gjerarkike, me poezinë “ Zoti vdes i pari”, ku trajtohet termi jo në përmasat e atij koncepti teologjik, por i tkurrur në individin “ Njeri”, dhe si i tillë është edhe “vet autori”. Kjo filozofi na përcjellë tek aksioma e Niçes, në Hyjnoren e reduktuar në shkallë njerëzore. Secili nga ne ka shëmbëllimin e Zotit, dhe secili nga ne në hapsirën e tij duhet të jetë “Zot i vetes së tij” .
Poezitë e autorit Afrim Demiri janë të shtrirë në formë ciklike në hapsirë dhe në kohë. Në këtë vorbull “koha jep ditët me çmim të lirë”. Njerëzimi, krijuesi i çisternave të ujit, por edhe frikacak i zjarrit, flakën që e shpiku vet, duke i dhënë shkas mbijetesës drejt civilizimit, formuluesi i burokratizmit; “Letra pa fund, për çdo rrjedhje uji të çisternave”.
E nesërmja, për autorin është “një e sotme e vdekur”, mund të jetë një kohë statike, si alabastrat e ftohta të varreve. Një “kohë e ngrirë” në moshë. Brenda,vetes jemi ende fëmijë, ngelemi Petër Pan në miniaturë. “Mallkim që nuk lëshon”- shton autori.
Koha, kthehet në pikë. Ai kod adimensional ku të gjitha arkitekturat marrin forcë, por edhe ai paradoks, ku të mjafton vetëm një pikë mbështetje- thoshte Arkimedi -dhe unë përmbys gjithë botën.
Koha e përjetësisë ku” Koha” është një ballsam, por nuk është një ballsamim
Për autorin, Koha ngelet ai këndvështrim paradoksi, ku qënia humane “shpikse e lumturisë”, ngelet e vetme qenie biologjike që përgatit varrin tjetrit, edhe pse të ditur( por jo të bindur) që nga kjo jetë mund të ikësh edhe “duke pirë një makiato”.
Njerëzimi (ajo që quhet Epoka e Re) prej dy mijë vjet dhe nga kjo anë, në qendër të vëmendjes mbart aksiomën më të egër njerëzore: Shtypja e njerit prej njeriut, edhe pse sot ekziston në formën më të kamufluar: Zoti vdes i pari, thotë autori Demiri, duke prekur në mënyrën empirike, këtë temë në poezinë e titullar, por thellimin e bën në tre pjesët e këtij vëllimi që e trajon si një triologji.
Një kohë e verbër. Në verbimin e shqipes, zogjtë e qyqjes rënkojnë. Verbëria e autorit nuk është i “karakterit Braile”, që për të parë e kuptuar i duhet ndjeshmëria e gishtave, por asaj i duhet ndjeshmëria e e shpirtit. Ai ndien qiellin si zookos. Ai ngelet një dromës e pallogaritshme e algoritmimit kuantistik të lavjersës qiellore, ku skicohet Mitra kozmike e shpërthen Një Bing Beng i ri. Në këtë jetë çdo gjë normale qëndron pezull në anormalitetin e saj. Macja merr në gojë “minjtë” për pjellën e saj, ndërsa qënia Humane që i është dhuruar ndërgjegja, shpesh është thjesht si aksesor: në parafangot e një makine me kilovat fuqie të lart, një trumcak i shtypur, një video game, një shoqëri e dështuar.
Koncepti i “Ditës” për autorin ka ngjyrime të personifikuara. Dita, nuk ka imazh, ajo ka fytyrën e saj, herë herë ia vjedhin fytyrën, Dita ka neurone, Dita, është delikate aq sa edhe të çmendet lehtë, Dita është diçka që edhe oksidohet “ndryshket”, dhe për tu liruar prej saj mjafton të mbyllësh sytë.
Tema patriotike, nuk është e sensit revolucionar, shpërthyes, ku mbizotron akti fjalës, por i kamufluar me një dozë të fuqishme ndërgjegjeje; Kur inceset Atdheu, shpesh ngelemi si ajo gjethja e fundit të vjeshtës që reziston ende erës, apo atyre dallgëve sentimentale mbi atë Bosforin ku lindi një civlizim “Kostandinopol”, me kahun tjetër nga Evropa. Shqipëria kryq e tërthor në unazat e saj vertebrale, shenjat e shpatave ende janë, e gëzhojat e plumbave që palcën kanë kërkuar t’ia nxjerrin.
Autori nuk përdor patosin klasik, por zëvendëson artin, forcën artistike të ndërthortë, vë në dukje forcën e bukurisë natyrore të këtyre trojeve ku sytë e saj lahen me detin Jon, ndërsa detit të poetit, dallgët e shpirtit i eklipsohen; “brënda detit, n’det”.
Autori nuk karakterizohet nga ajo mahnia hiperbolitike patriotike, shkruan vetëm ndonjë varg për mikun, por, vargu nuk është me patos, sepse nuk ekziston vdekja, është vetëm thjesht faktor gjoegrafik, në tjetër planet ku ka ndërruar vetëm adresë.(Diptik për Bekim Lumin\ Mund të ndërrosh adresë, por nga zemra jonë nuk mund të ikësh kurrë)
Arqipelagu i vargjeve të tij është i thurur me një gamë të gjerë: aty do të ndeshim formën tangjente të notave satirike, që na sjellë autori në poezitë; “Lepuri dhe Kanuni i Lekës”, “Emri i keq Edip”. Oaze të cilat mbërthejnë dialektikën hegeliane( teza- antiteza), pohim dhe mohim, (As Unë dhe as Ti) në lojën morale të ekistencializmit.
Herë, vargjet janë një tavolinë shahu, bardh e zi, plot kontraste, në mes ka një xham, nuk ka rregulla, ka brryla, ku loja njerëzore nuk ka stafetë, por nis përsëri, dhe në këtë ciklon ndihet edhe fishkëllima e vetmisë, herë qëllon me nota epike; krisma që priten të ndalin qerpikë që ndjejnë nën lëkurë shijen e lirisë, por edhe kur fitohet liria, udhë të shteruara, dyer të kyçura, valixhe plot me ëndërra.
Vargjet e tij mbajnë dramën dhe endrrën. “Dritare që fluturojnë si dallëndyshe” por edhe ëndërrat nuk kanë sensin e përjetësisë, ato janë “Kometa” të cilat ndryshe nga yjet, shkëputën dhe shuhen.
Poezia e tij mbart bukurinë surrealistike
Hëna që kthehet në midhje, Binarët pikëçuditëse, janë vargje që na përcjellin stilin surrealistik si në veprat artistike të Escher-it.
Udhëtojmë në këtë triologji dhe shohim që nuk mungojnë vargje të një romantizmi bukolik, folkloristik, sensuale; Asnjë pikë shiu nuk pi nga mollzat e tua, e gjurmët e hijeve mbartin qortimin e njomë, fjalët e lagura, molla e kuqe e Edenit, Adami i Fundit, frymojnë në ethet kiekergaarde nga poret prush, por edhe ajo dozë e dashurisë platonike “stil novator” i mbyllur në endërrat si një “ Guackë deti” , në mallkimin “ të vraftë reja për së kthjellti”.
Koncepti i lidhjes”Martesore” si një projekt jete, apostrofohet në “Unë, ti dhe përfundon në “pësoren” vetvetore, ku secili mban peshën e sentimentit por edhe të përgjegjësinë, besnikërinë apo tradhëtinë. Vdekja mbart numrin çift – thotë autori- X dhe Unë. Gjenerata X, por edhe një shoqëri e lëngshme pa asnjë kontenitor, gjë e cila na kujton deri diku Bauman.
Në ciklonin e vjershave mbizotron ngjyra e kuqe si ; Prekazi, ku edhe Hëna dhe dielli, ngjyejnë rrezet në tonalitetin e tij, Zanat mbartin puthjet e tyre të zjarrta,
Figura e Hënës, nuk është thjesht metamorfozike, herë në formën e një presje dhe herë në formën e një pikë loti, ajo mbushet jo vetëm me nota të personifikuara, por edhe “profetike në laicitetin e saj”: Hëna me buzët e saj të varura në filxhanin e kafesë, lexon fatin e kamarierit, në tavernat e natës. Por, edhe një Hënë, jo statike, bushtër e verbër, në alegorinë e saj.
Autori, në këtë palkoshenik trilogjik nuk na jep “titrat e krijesës së Zotit”, pjesë e asaj natyre, që përsosmëria humane është larg nga ajo teologjike. Në origjinën tonë kemi ende nga ajo ADN-ja e australopitekut, dhe për këtë kodik, autori na kujton se njerëzimi u vetquajt “Homo sapiens” dhe me të drejtë lind pyetjen:
Homo sapiens ku je? Ku edhe sot kjo qenie është një masë kontradicioni.
Koha, mbart gjerarkinë e saj “Vertikale” edhe në kohët moderne.“Gratecieli” (rrokaqiejtë) shtojnë numrin e kateve dhe ashensorët ngjiten verikalisht, shtëpitë horizontale po vdesin nga vetmia njerëzore. Kujtimet nuk kanë më erë, raftet janë boshë, njerëzimi gjitar, shpesh metramorfozohen si zvarranik, (nuk lexohet më Kafka por “buburrecin e Kafkës” që tërhiqet zvarrë, e shohim si në jetën politike ashtu edhe sociale) Tolstoin ndoshta nuk e njohin, por Lufta dhe Paqja janë në rendin e ditës, kalojnë shekuj e gjithmonë në vend numërojnë.
Bota kibernetike, është edhe në vargjet e autorit “fjalët kyç, Paswordi”, ajo botë e inteligjencës artificiale ku po shkon njerëzimi, triumfi hibrid midis njerëzimit dhe makinës, ku poeti nuk pajtohet me kodin e paswordit, sepse për të asgjë nuk është numerike, ai vet është një elektron i lirë me shpirtin i lirë në rrezen e parabolës së ekuilibrit të kozmosit, ku shtrihen mendimet e purpurta, retë, mjegulla, muzgu, e shkrihet “psika racionale gramatikore” me katedralen gjeometrike shpirtërore të tij.
Kur lexon disa nga vargjet e tij të kujtojnë Eseninin, që t’merrohej nga një tip civilizimi që ndoshta për kohën nuk kishte “masën humane”. Shëndërrimi urban, për autorin rrit këngët e vetmisë, baladat rënkojnë pa fjalë, Idioti i Dostojevskit, shëndërrohet anonim në ludotekat në heshtjen e mosnjohjes, monotonia, “Zymtësia- përditshmëri”, binomi që mbërthen si darë qytetet, ku rreth e rrotull si një manifest vdekje varet fotografia e politikanit.
Në vargjet e autorit nuk mungon as pozita gjeografike. Shikimi i tij si dy iride vektoriale ndalet te bifurkacioni i qytetit Ferizaj. Ah sa i çuditshëm ky fenomen, sa e begatë kjo tokë, ku fqinjtë e lakmuan. Jo shumë larg ndihet zhurma e shpatave- thotë autori- Për poetin nuk mjafton të kapërcesh Vardarin për të njohur fqinjët, u dashka të kapërcesh marrëzinë.
Autori titullon ciklin e tretë: “Gega i gjetun”. Përdorimi i Gegnishtes, hap një temë që ende nuk i është dhënë dinjiteti i saj, asnjë paskajore standarde s’mund t’ia japë bukurinë fjalës, rrëfimit artikulimin, sa ajo formë paskajore e gegnishtes
“ Me u…” , të mohuar e të lënduar që e bën shqipen sa më të lashtë e më hyjnore, por mbi të gjitha- thotë autori- të jesh “ gegë” me gegnishten e saj nuk është e lehtë. Atë gegninshte të mësuar në atë shtëpi ku edhe poret gurëve frymojnë Gegnisht. Në atë votër ku ndihet aroma e simites së nënës, e dallëndyshet krijonin folet, shtëpia nr 67. Në përshkrimin e asaj shtëpie autori lë prapa relistikën\ realen, dhe mbath petkat si një pikturë surrealistike; shtëpia me pamjen e Babës, plak me kapelen e cigaren në buzë”, (e cila të na kujton ato veprat e artistit René Magritte), por as nana e as Baba nuk janë më. Një realitet që shkrihet vetëm në një kujtim. Në poezitë e autorit bashkëjeton ekzistenca në një metafizikë të fuqishme. Autori në plan të parë duket empirik ndaj çështjeve, por ngelet një arbitër i veprës së vet.
Mendoj se“ Njeriu- Zot”, për autorin qëndron tek forca e arsyes. Ky zot është i fortë dhe i brisht, me mish e me gjak, me skelet e kollon vertebrale, por më tepër se fjalën Zot, në të gjithë ciklin përmendet fjala Kohë dhe Dritë, ai kod iluministik dhe humanist, që nuk e anashkalon edhe tek shtjellat e një surrealizmi ku konkretja prek imagjinatën spaziale\ hapsinore, e cila plotësohet me mitologjiken: Herkules dhe Apolloni, emblema e arsyes. Mund të them se cikli “Zoti vdes i pari, është një cikël me dozë Kozmologjike ku autori eksploron marrëdhënien midis vet autorit dhe universit. Poeti na përfshin në misterin e pafund të kozmosit, duke kaluar nga sublimja e vlerave, në kërkimin e një aleance midis kujtimeve, thellësisë emocionale e romantike.
Retorika metrike që përdor autori, të çon në një eksplorim të një forme orbite të artit, ku bashkohet mekanikja me organiken, E të bënë të hetosh si reflektimi i jep ritëm pafundësisë në një udhëtim Rrethor pa arritur kurrë në zemër të substancës së mendimit. Si boshllëku midis ekzistencës dhe pafundësisë, ai rajon konfuzioni, që inteligjenca nuk mund ta mbushë kurrë, por në të cilin poezia mund të gjejë një pasuri të paçmuar shprehëse.





