spot_img
Ballina Aktualitete Hazir Mehmeti ( Austri): Arsimi duhet trajtuar si vlerë kombëtare e dorës...

Hazir Mehmeti ( Austri): Arsimi duhet trajtuar si vlerë kombëtare e dorës së parë

0
7

 

           Sami Frashëri: «Shërbimi që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë”. (Aktualiteti njëzetvjeçar i një artikulli, 15 tetor 2005: 15 tetor 2025. H.M.)
(Njëzet vjet nga artikulli nga debati rreth arsimit në mërgatë. Aktualiteti i shkrimit ndihet akoma, andaj, e shënoj me respekt ndaj lexuesve, gjykuesi i parë dhe i fundit.)

Dobësia në lëmin e arsimit dhe edukimit është pjesë e dobësive tona në organizimin e

tërësishëm në mërgatë. Rrethanat e reja kërkojnë formë të re të organizimit tonë. Këtë si duket nuk kemi forcë ta bëjmë pa ndihmën e qeverive tona. Qeveritë tona  duhet ta kuptojnë, se  vlera e parë e një kombi të përparuar është arsimi dhe edukata.

Dialogu për shkollën shqipe është i domosdoshëm në kohën kur kriza është thelluar më së shumti në përf­shirjen e nxënësve në mësimin e gjuhës amtare. Në tërë mërgatën anembanë botës, në mësimin plotë­sues të gjuhës shqipe nuk janë të përf­shirë

E nderuara redaksi!  Tema e shtruar për debat nga redaksia e Zërit për diasporë «Mësimi shqip në diasporë-Çfarë më tutje?» është shumë e qëlluar dhe është vënë në diskutim pikërisht në kohën kur duhet ndryshuar gjërat në rrethanat e reja. E kam ndjekur pothuaj rregullisht, mendoj se diskutime duhet të kishte më shumë dhe nga individ që i njohin rrjedhat e përgjithshme përfshirë këtu edhe arsimin në diasporë. Besoj se dobia e këtij dialogu do të ishte në  gjetjen e rrugëve për lëvizje pozitive të gjërave. Ju i keni kapur këto. Dëshiroj të keni (kemi) sukses.

Unë jam një mësues në Austri tash shtatë vjet. Më parë kam punuar njëzet vjet në Kosovë si mësimdhënës në gjimnaz. I kam përjetuar peripecitë e një arsimtari andaj i njoh deri diku rrethanat atëherë dhe tani.

Dialogu për shkollën shqipe është i domosdoshëm në kohën kur kriza është thelluar më së shumti në përfshirjen e nxënësve në mësimin e gjuhës amtare. Në tërë mërgatën anembanë botës, në mësimin plotësues të gjuhës shqipe nuk janë të përfshirë as 8 % të fëmijëve. Më mirë qën­dron puna në disa shtete si në Finlandë, Suedi, Gjermani, Austri, Zvicër.  Më keq është në Greqi, Itali, aku është një mërgatë relativisht e re. Qëndrimi i Greqisë është i ditur historikisht dhe tani.

Dobësia në lëmin e arsimit dhe edukimit është pjesë e dobësive tona në organizimin e tërësishëm në mërgatë. Rrethanat e reja kërkojnë formë të re të organizimit tonë. Këtë si duket nuk kemi forcë ta bëjmë pa ndihmën e qeverive tona. Ato duhet ta kuptojnë, se vlera e parë e një kombi të përparuar është arsimi dhe edukata.  Qe në kohërat e hershme u vërtetua se ato shoqëri që investuan në arsim ishin më të përparuara dhe të zhvilluara ekonomikisht.

Pse sot nuk mësojmë nga historia!

Në kohët e pushtimit të kombit tonë pushtuesit e panë me një sy të veçantë si të rrezikshëm për ta pikërisht arsimin dhe edukimin me bazë të shëndoshë kombëtare. Dhe, me të vërtetë ashtu ishte e do të jetë. Rasti i fundit kur u dëshmua një gjë e tillë ishte kur pushtuesi serb në Kosovë e pa rrezikun dhe fundin e tij nga ngritja arsimore e edukative në Kosovë. Andaj represioni u vu në mbylljen e institucioneve, ndjekjen e arsimtarëve; thjesht, shkatërrimin e arsimit si baza më e fuqishme e progresit të një kombi.

Është i çuditshëm qëndrimi injorues i qeverive tona në Shqipëri dhe Kosovë ndaj nevojës aq të madhe për arsimin dhe edukimin e brezave kur dihet shkatërrimet që janë bërë ne disa gjenerata, pasojat e të cilave po dukën qartë. Këtu bën pjesë edhe arsimi në mërgatë.

Nëse qeveritë tona nuk kanë mjete materiale (kjo, pjesërisht qëndron) kanë mundësi të ndihmës organizative, të aktivitetit më të theksuar dhe të vendosur të politikës në marrëdhënie me shtetet ku ka mërgatë shqiptare. Nuk mjafton organizimi ynë vetëm në shoqata, klube etj. Është i domosdoshëm përfaqësimi i këtyre në një organ koordinues vendimmarrës kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve si pjesë e kombit tonë të vogël. Secila shoqatë e ka në programin e saj preokupimin me çështjen e kulturës kombëtare, e në kuadër të saj edhe mësimin elementar shqip. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre vetëm në letër. Ato të paktën, kanë mundësinë e informimit të prindërve me rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare. Në Zvicër e Gjermani etj. ku financimi bëhet (pjesërisht) nga prindërit, disa shoqata të fushës përkatëse dhe individë të veçantë kanë bërë megjithatë një punë shumë të vlershme.

Shumë më e lehtë është të përfshihen më shumë nxënës në ato shtete ku mësimi financohet nga shteti si në: Austri, Finlandë, Suedi etj. Konkret, në Austri mundësitë janë më favorizuese. Por, edhe përkundër kësaj, vijimi është i ulët. Nga gjashtëdhjetëmijë bashkëkombës tanë që jetojnë në Austri vlerësohet se dhjetëmijë deri, në -dymbëdhjetë mijë duhet të jenë fëmijë. Por, prej tyre, mësimin në gjuhën shqipe e ndjekin vetëm diku rreth njëmijë e gjashtëqind fëmijë, që do të thotë pak mbi 10 për qind! Duke përjashtuar rastet, përgjithësisht prindërit po tregohen të papërgjegjshëm ndaj detyrimeve që kanë në edukimin e arsimimin e fëmijëve në baza kombëtare.

Kohëve të fundit në shumë shtete të zhvilluara i është dhënë një rëndësi e veçantë arsimimit shumë kulturor. Në këtë aspekt duhet parë perspektivën e integrimeve të përgjithshme të, kombeve brenda kontinentit tonë ku  shtohet nevoja për të mësuar shumë gjuhë e në veçanti gjuhën e nënës. Historia është e pamëshirshme ndaj gabimeve. Këtë e kemi provuar me lëkurë pikërisht ne, shqiptarët. Andaj, do e mbyllja këtë diskutim me fjalët domethënëse të vizionarit tonë të njohur Sami Frashëri: «Shërbimi që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë”.