spot_img
Ballina «arbkult» Shqipe Bytyqi: NJË DITË PARA DËSHMISË

Shqipe Bytyqi: NJË DITË PARA DËSHMISË

0
105
Ab73ffd1 6b3c 463f 92bd d6ddd904c32d

Sot me 16.09.2026 duhej të dëshmonte Flora Brovina.

Vetëm një ditë e ndante nga drejtësia që e kishte pritur për më shumë se një çerek shekulli. Por Flora iku dje.

Iku në amshim, një ditë para se të ulej para gjykatës e të fliste për burgun, për rrahjet, për torturën, për të burgosurat e ndërgjegjes që i kishte parë të thyera e të hedhura nëpër dhoma burgu.

Ajo duhej të dëshmonte në procesin ndaj Nadica Ćepkenović, ish-gardiane serbe e Burgut të Lipjanit, e akuzuar për krime kundër popullatës civile.

Sa e pamëshirshme, vonesa e drejtësisë. Sa e paméshirshme kur mu sot dënohen katër udhëheqësit e UÇK. Sa e pamëshirshme kur në vend që të dënohen pushtuesit, dënohen ata që mbrojtėn vendin.

Flora Brovina kishte pritur. Kishte mbijetuar. Kishte mbajtur brenda vetes kujtime çnjerëzore. Dhe prapë kishte vazhduar. Me atë qetësinë e saj të rrallë dhe guximin e palëkundur.

Mjeke që kishte sjellë jetë në duar, edhe kur spitalet i mbyllën për shqiptarët. Mjeke, që kishte shëruar plagë lufte, humaniste që u kishte qëndruar pranë njerëzve në ditët më të zeza, grua që e kishte kthyer dhimbjen në qëndresë, Flora nuk e pati luksin ta harronte atë që kishte parë.

Dhe ndoshta pikërisht pse nuk harroi, duhej të dëshmonte.

Sot do të ishte aty. Por karrigia e saj do të mbetet bosh. Një karrige bosh, një dëshmi që nuk u tha, një jetë që priti shumë gjatë.

Vetëm një ditë. Vetëm një ditë para dëshmisë, Flora u largua nga kjo botë.

Drejtësia më në fund trokiti. Por ajo nuk ishte më aty për t’ia hapur derën.

Kjo është dhimbja e drejtësisë së vonuar dhe asaj të devijuar.