spot_img
Ballina Aktualitete Vaxhid Sejdiu: Në Brezovicë përfundoi seminari i mëse  200 mësuesve nga mërgata

Vaxhid Sejdiu: Në Brezovicë përfundoi seminari i mëse  200 mësuesve nga mërgata

0
87
762475259 1261551085991290 3609636816409677739 n

Përfundoi me sukses Seminari XIX Mbarëkombëtar i Mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë

Pas katër ditësh punimesh intensive në Brezovicë të Kosovës, përfundoi Seminari XIX Mbarëkombëtar i Mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë, organizuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës.

Me temën «Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar», seminari mblodhi mbi 200 mësues të gjuhës shqipe nga diaspora, studiues dhe ekspertë të arsimit, të cilët ndanë përvoja dhe praktika bashkëkohore në shërbim të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Programi i seminarit u zhvillua përmes seancave plenare, leksioneve të hapura, punës në grupe dhe veprimtarive kulturore. Dy nga momentet më të spikatura ishin leksionet e hapura të Arsim Canollit, i cili trajtoi qasje bashkëkohore për motivimin e nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe, dhe të studiueses Ledi Shamku Shkreli, e cila solli një reflektim mbi gjuhën, kujtesën dhe identitetin kulturor, duke nxitur diskutime të gjera mes pjesëmarrësve.

Gjatë dy ditëve të punës profesionale u zhvilluan dhjetëra punëtori dhe prezantime nga mësues të diasporës që veprojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër, Britaninë e Madhe, Suedi, Kroaci, Holandë dhe vende të tjera. Temat trajtuan motivimin e nxënësve, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mësimdhënie, dygjuhësinë, bashkëpunimin me familjen dhe komunitetin, si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Seminari u pasurua edhe me veprimtari kulturore, përfshirë vizitën në qytetin historik të Prizrenit dhe njohjen me trashëgiminë e tij, si edhe aktivitete në natyrën e Brezovicës, duke krijuar një atmosferë të veçantë bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe forcimi të rrjetit të mësuesve shqiptarë nga diaspora.

Në ditën përmbyllëse u prezantua projekti «Tungjatjeta – një qasje e re dygjuhëshe për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë», nga Mimoza Hysa dhe Ajula Jubani, si një model i ri didaktik që synon të mbështesë mësimin e shqipes në mjedise dygjuhëshe. Punimet u mbyllën me paraqitjen e përfundimeve të seminarit dhe shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.

Seminari Mbarëkombëtar rikonfirmoi edhe një herë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, duke forcuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin profesional të mësuesve, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.

Faleminderit të gjithë mësuesve, studiuesve, organizatorëve dhe pjesëmarrësve për kontributin dhe përkushtimin në shërbim të gjuhës shqipe!